Edi Martini, trajneri i Teutës, ka dalë në konferencë për shtypin në prag të përballjes me Kastriotin. I ngacmuar fillimisht mbi faktin që Vllaznia shikohet si favorit për titull para durrsakëve, shkodrani u shpreh: “Jam i fokusuar tek ekipi im. E rëndësishme është që të shohim rezultatet e ndeshjeve tona sfida pas sfide dhe të mos e shohim shumë tabelën. Do bënim gabim nëse ndodh kjo. Të fitojmë ndeshjet tona, fundi i kampionatit është shumë larg”.
Më pas ai foli për duelin me Kastriotin: “Të rëndësishme për ne momentalisht janë pikët, ato bëjnë diferencën. Lojërat i kemi pasur të mira. Në 99 për qind të rasteve kemi qenë superiorë karshi çdo kundërshtari, por nuk kemi marrë pikët. Ato bëjnë diferencën dhe ato kanë rëndësi për ne.
Është një ndeshje shumë e fortë. E pashë Kastriotin në ndeshjen kundër Tiranës, ishin të barabartë në fushë. Pati rastet e veta dhe mund të shënonte edhe golin e dytë. Është një ekip i fortë, që lufton shumë dhe ka grinte. Pra është një ndeshje shumë e vështirë”.
Martini nuk e ka shumë mendjen te ndalimi i Vllaznisë, apo i Partizanit në derbi. “Ekipi është në gjendje të mirë, çdo lojtar është në formën më të mirë. Nuk bëj llogari, duam vetëm të fitojmë ndeshjet tona”, shton teknik shkodran i Teutës, i cili më pas pyetet edhe në lidhje me raportin e tij me Starovën.
“Kemi bashkëpunim me të gjithë, nga i pari tek i fundit. Çdo gjë është në shërbim të punës. Gjithsecili bën atë që duhet për të arritur aty ku duhet”, shprehet Martini, ndërkohë që flet edhe për afrimin e fundit në skuadrën e tij, mbrojtësin Jackson Ferreira.
“Them se jemi kompletuar në të majtë, Jackson është një lojtar i mirë, një lojtar që ka dhënë prova. Kemi pyetur shumë para se ta marrim. Shpresoj të jetë një përforcim i mirë. Konkurrenca i bën mirë çdo lojtari, kjo vlen edhe për Kouros. E kam thënë se Teuta është si një familje, ku planet individuale janë në plan të dytë. Ekipi vjen i pari. Konkurrenca është e mirë, të bën të ecësh përpara. Nuk shoh asgjë të keqe në këtë drejtim.
“Merkato? Nuk e di ende. Janë edhe disa ditë, ndërkohë që luajmë edhe tre ndeshje apo katër. Jemi të fokusuar tek ata. Do e shohim në këto ndeshje. E kam thënë se jemi të kompletuar, thjesht duhet të punojmë të arrijmë aty ku duhet”, ka përfunduar Martini. /abcnews.al