Teuta u përball me Skënderbeun në stadiumin “Niko Dovana” sot dhe pas ndeshjes së fituar nga vendasit me rezultatin 2-0, si zakonisht foli trajneri Edi Martini. Në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport ai analizoi atë që pa në fushën e blertë në përballjen me korçarët.
“Dua ta komplimentoj ekipin, pjesa e parë ishte e shkëlqyer. Kishim ritëm të lartë, kurse pastaj lëshuam dhe Skënderbeu na vuri në vështirësi. Duhet ta mbyllim ndeshjen, pasi i kishim rastet. Një gol tjetër të qetëson dhe duhet të shënojmë”, tha fillimisht tekniku shkodran.
“Tentojmë të përmirësohemi nga ndeshja në ndeshje. U dëmtua Hoxha dhe na i prishi planet. Mund të bënim edhe më mirë në pjesën e dytë. Duhet ta vrasim ndeshjen më shpejt, pasi më pas mund të futem në panik”.
“Erando dihet që i ka specialitet goditje. Do kisha dashur të shënonte më përpara, që të na qetësonte. E komplimentoj, pasi është edhe një futbollist profesionist që stërvitet shumë”, shtoi Martini në lidhje me golin me goditje dënimi që realizoi Karabeci.
“U futëm pak në panik, ndoshta nga presioni i pikëve. Gabuam te pasimet. Gabimet të japin mesazh që duhet të përmirësohesh. Po vuajmë pak panikun, pasi duhet të vrisnim ndeshjen dhe të shënonim. Gjithsesi pikët janë shumë të rëndësishme për ne në këto momente”.
“Aleksi luajti qendërmbrojtës, pasi edhe Pjeshka është i dëmtuar. Ishte lëvizje e detyruar. Kemi treguar edhe vjet që rritemi nga momenti në moment. Ky ekip e ka potencialin të luajë mirë. Pikët janë ato që të japin qetësinë. Jam i bindur që do luajmë mirë në vazhdim.
“Kemi pritur dhurata ka 15 javë. Kur pamë punët tona nisëm të ecim më mirë. Të shohim ndeshjet tona, pasi kampionati është i gjatë. Gruda e Kapllani janë të rinj, mund të bëjnë mirë. Bregu luajti mirë sot, edhe të tjerët. Kishte rritje dhe në vazhdim do ndodhë e njëjta gjë edhe me të tjerët. E rëndësishme është të marrim pikët”. /abcnews.al

