Teuta u mund nga Vllaznia në një miqësore të luajtur sot në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Pas kësaj sfidë, trajneri Edi Martini foli për mediat: “Realisht na vlejti kjo miqësore, pasi jemi fiks një javë para ndeshjes së kupave të Europës. Normalisht kemi akoma disa gjëra për të rregulluar, pasi kemi edhe dëmtime.
Nuk kishim 4 lojtarë, Frashërin, Todorovksin, si dhe Grudën e Hebajn. Gjithsesi mendojmë t’i rikuperojmë deri të enjten. Sa i takon ndeshjes, e mbajtëm topin dhe e qarkulluam dhe kjo ishte ajo që donim të bënim. Patëm edhe ne rastet tona. Në njëfarë mënyre jam i kënaqur nga djemtë. Duhet kujdes tani në fill, që të mos pësojmë dëmtime”.
LARGIMI I KALLAKUT DHE VLLAZNIA – “Normalisht na ka prishur punë largimi i Kallakut, por kemi vetëm një lojtar të larguar. Do bëjmë çmos që ta zëvendësojmë. Presim deri më 2 tetor ta marrim një. Jemi në bisedime me disa lojtarë. Është një rol specifik dhe nuk është e lehtë të gjesh. Besoj se do ia dalim të gjejmë një. Si m’u duk Vllaznia? Mendoj se Vllaznia është më mirë se vitet e tjera. Nuk kam ndonjë gjë tjetër për Vllazninë. I uroj suksese”.
SHTYRJA E KAMPIONATIT – “Është problem shumë i madh. Pushuam për një kohë të gjatë në karantinë, më pas zhvilluam një numër të madh ndeshjesh, çdo tre ditë. Tani luajmë në Europë dhe një shtyrje e kampionatit është në dëm të ekipeve dhe lojtarëve”. /abcnews.al