Edi Martini nuk foli në prag të ndeshjes me Vllazninë, por pas saj ishte i detyruar. Teuta e tij mori një pikë në “Loro Boriçi” dhe e humbi vendin e parë pas fitores së Partizanit. Trajneri shkodran, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport deklaroi:
“Hap fals nuk mund të them që ishte. Nuk erdhëm për barazim. E kishim llogaritur të ishim të kujdesshëm dhe më pas të sulmonim. Vllaznia ka ekip të mirë, e ka treguar në pjesën më të madhe të kampionatit”.
“Rasti i Krasniqit? Është e vërtetë që nuk patëm raste, por e dinim që ishte e vështirë dhe kë kishim përballë. Edhe Vllaznia kishte dy raste spontante, që ia dhuruam ne. Ishte një ndeshje me nerv dhe nuk lejoheshin gabimet. Barazimi ishte rezultati më i drejtë”.
“Ndeshje të tilla vendosen nga episodet. Bregu ishte i markuar, me shumë raste edhe nga dy lojtarë. Nuk duhet të varemi vetëm nga ai, duhet të ngjitemi edhe më lart dhe të shërbejmë për treshen e sulmit. Megjithatë ishte një ndeshje ku nuk lejoheshin gabimet dhe barazimi është rezultat i mirë”.
“Vjet kemi luajtur shumë më mirë futboll, qarkullonim topin. Nuk e zëvendësuam dot numrin 10, që na prishi punë. Nuk kemi luajtur siç kemi dashur, por as të tjerët nuk është se kanë pasur ndonjë klas, veç ndonjë ndeshjeje me goleadë. Duhet të jemi pragmatistë, të jemi cinikë, pasi kampionati bëhet më i vështirë nga java në javë”, ka përfunduar Martini. /abcnews.al

