Martini: Arbitrit i doli loja nga kontrolli, uroj ta kenë të gjithë të vështirë me Bylisin

schedule15:16 - 7 Mars, 2021

schedule 15:16 - 7 Mars, 2021

Edi Martini, trajneri i Teutës, analizoi paraqitjen e skuadrës së tij dhe rezultatin në ndeshjen me Bylisin. Tekniku shkodran, foli në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. “Rezultati ishte ai që nuk shkoi, humbëm shumë raste.

Duhet të ishim më të qetë. Arbitri pas penalltisë e humbi kontrollin e ndeshjes, dha shumë faulle. Në fund kam diskutuar ashpër, i kërkova llogari dhe ia thashë çfarë kisha. Duhet të jemi më të qetë, por ky është futbolli”, tha fillimisht Martini.

“Edhe te rasti i golit, nuk e di si është rregullorja, arbitri u përplas me arbitrin dhe u dëmtua. Nuk e di si është rregullorja. Arbitri duhet ta ndalte lojën, pasi ishte një lojtar i vrarë pas përplasjes me të. Patëm momente nervozizmi dhe na kushtuan ato 10-12 minuta pas golit që shënuam”.

“Arsyet e nervozizmit? E kam dëgjuar çështjen e barazimeve, por edhe ekipet e tjera kanë 9 ose 10. Diferenca është 1-2 pikë. Janë ndeshje që duhen fituar. Erdhi Laçi e fitoi, u bë dhunë. Fitoi edhe Partizani. Ky është nervozizmi. Loja bëhet e ashpër, fusha është e nxehtë dhe prandaj nervozizmi ndoshta është më i madh”.

“Plaku luajti mirë, nuk ka kondicionin e duhur ende. Humbi një rast nga ato që nuk i fal. Presioni vjen në rritje dhe duhet t’i zgjidhim me qetësi ndeshjet”, shtoi Martini, i cili më pas përmendi sërish rastin e rrëzimit të Aleksit te goli. “Do ta shoh golin, nuk vë dot faj tani. Faji është i gjithë ekipit”.

“Normalisht që i qaj këto dy pikë, pasi mund të ishim të parët. Shpresoj të jetë e vështirë për të gjithë ekipet. Normalisht më vjen. Presim ndeshjet e tjera dhe jemi në luftë të katër skuadrat për titullin kampion. Duhet të shënonim një gol me rastet që krijuam, humbëm shumë. Për një ekip me kualitetet tona duhet ta zgjidhnin ndeshjen”. /abcnews.al