Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri, Krasniqi: Nëse s’shihen efektet për 6 muaj, mbledhja e paefektshme

schedule19:27 - 26 Nëntor, 2021

schedule 19:27 - 26 Nëntor, 2021

“Shpresa vdes e fundit.” Kështu u shpreh Skënder Krasniqi, kryetar i Odës së Afarizimit i pyetur nëse do të ketë diçka ndryshe dhe konkrete nga mbledhja e radhës e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Në një lidhje direkte me “Radari Informativ” në ABC, Krasniqi beson se me krijimin e sekretariatit koordinues për bizneset do të ketë më shumë mundësi për jetësimin e marrëveshjeve të firmosura.

“Kosova dhe Shqipëria kanë një rritje ekonomike dhe kjo tregon se ka hapësire për të bërë biznes dhe për të koordinuar politikat tona. Ne do të donim që të ishin të pranishme dhomat e tregtisë nga dy vendet…”

Duke marrë parasysh eksperiencat dhe marrëveshjet e firmosura më parë mes dy vendeve, kryetari i Odës së Afarizimit theksoi se është shumë e nevojshme që tani të kalohet në vepra dhe të mos krijohen më barriera mes dy vendeve.

“Ne po shpresojmë që këtë radhë vullneti të jetë më i madh.”

Sipas Krasniqit nëse kjo mbledhje ishte ndryshe nga të tjerat do të duket pas gjashtë muajsh, në të kundërt “këto takime janë të kota dhe të paefektshme.”

Kosova dhe Shqipëria nënshkruan sot edhe 13 marrëveshje të reja mes dy qeverive. Ato përfshijnë fusha të ndryshme, por kryesorja që prej qytetarët, është se ata do të marrin leje qëndrimi dhe pune, më lehtë për të jetuar e punuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Të dy shtetet do të njohin po ashtu sigurimet shoqërore reciproke, duke lehtësuar pensionet, lejet e lindjeve, etj. Ndërkohë, marrëveshjet e tjera parashikojnë edhe lehtësi doganore.

Akti i nënshkruar, nënkupton që nga e hëna e ardhshme makinat nuk do të ndalen në doganat mes dy vendeve, por do të monitorohen vetëm përmes kamerave.

Po ashtu, Shqipëria dhe Kosova kanë vendosur buxhet të përbashkët për të nisur një studim terreni për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Dokumente janë nënshkruar dhe në fusha të tjera kulturore e sociale. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!