Marrëveshje për gazifikimin e Korçës/ Rama dhe Balluku takohen me presidentin e Azerbajxhanit

schedule17:17 - 12 Nëntor, 2024

schedule 17:17 - 12 Nëntor, 2024

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan në Baku me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Rama dhe Balluku nënshkruan memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.

“Baku, Azerbajxhan – Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Emiratet e Bashkuara për krijimin e kompanisë së përbashkët publike të energjisë, u zhvillua takimi me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës, për të cilën janë kryer studimet paraprake e do të nisë puna për projektin e detajuar inxhinierik”, shkruan Rama në Facebook.

Ndërkaq, Balluku deklaroi se projekti do të nisë në vitin 2025. Ajo e cilësoi projektin një lajm të mirë jo vetëm për Korçën, por për të gjithë Shqipërinë.

“Këtu në Baku gjatë zhvillimit të punimeve të COP29 ne patëm edhe një marrëveshje të re me qeverinë e Azerbajxhanit, përsa i përket gazifikimit të Korçës. Është një lajm shumë i mirë ky, i cili ka nisur dhe është ngjizur prej kohësh midis Albgaz të Shqipërisë dhe SOCAR të Azerbajxhanit, por tashmë po bëhet realitet. Planet tona janë që të nisim sa më parë nga puna, duke nisur kështu me të gjithë pjesën inxhinierike tashmë që studimi i fizibilitetit ka mbaruar. Parashikohet që ky projekt të nisë gjatë vitit 2025 për tu dorëzuar në vitin 2027. Ajo çka ne synojmë është që të mbulojmë një rrjet të tërë shpërndarje gjatë gjithë qytetit të Korçës, por nga ana tjetër kryesisht edhe në bizneset të cilat operojnë në këtë qytet. Duhet pasur parasysh sesa më shumë do të shtrihet gazifikimi i Shqipërisë, bazuar në planin strategjik për gazifikimin e vendit, aq më shumë do të ulen kostot përsa i përket këtij produkti që do ti jepet qytetarëve. Në fillim sigurisht shteti do të nisë duke e mbështetur këtë procedurë të re, këtë produkt të ri dhe shërbim të ri, për më pas duke e zgjeruar këtë edhe në zonën e Pogradecit dhe në zonën e Ersekës dhe duke pasur parasysh që ne synojmë që industria të këtë alternativën e zgjedhjes të energjisë, jo vetëm përdorimin e energjisë elektrike, por edhe të gazit, ne parashikojmë që ky gazifikim i vendit të vazhdojë deri në vitin 2030, duke mbuluar pjesën më të madhe të qyteteve të cilat kanë edhe pjesë industriale apo biznese të cilat mbështeten nga industria e gazit.

Dua të kujtoj edhe një fakt tjetër që ne na është dashur sëbashku të merremi dy vite konsekutiv, përsa i përket lëndës drusore, e cila është tashmë gjithmonë më pak e disponueshme, duke pasur parasysh këtu edhe eksportet nga Maqedonia e Veriut apo nga Kosova, pasi lënda drusore përdoret shumë në zonën e Korçës. Por, duke qenë se ne ndodhemi sot në COP29 duhet të kemi parasysh që e gjithë politika për mbrojtjen e mjedisit dhe gjithë angazhimet që Shqipëria ka marrë për mbrojtjen e mjedisit shkon në të njëjtën udhë, le të themi, me mospërdorimin e lëndëve drusore për ngrohjen. Nga ana tjetër dua që ta mbështes atë që sapo the që pikërisht Korça është zgjedhur për të pilotuar këtë projekt, pra Strategjinë Kombëtare të Gazifikimit të vendit që mbështetet nga SOCAR, nga kompania e ekselencës të Azerbajxhanit, përsa i përket gazit në nivel kombëtar, pikërisht sepse korçarët kanë treguar që janë qytetarë të mirë përsa i përket të gjithë përballimit të faturave të shërbimeve, duke mos krijuar asnjëherë debite të këqija për asnjë nga kompanitë qofshin këto ujësjellës-kanalizimet apo edhe kompanitë elektrike. Kështu që lajmi i mirë sot është për Korçën, por në vazhdim është për të gjithë Shqipërinë”, tha Balluku./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!