Marrëveshje me izraelitët, Shqipëria gati për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike

schedule11:41 - 30 Nëntor, 2021

schedule 11:41 - 30 Nëntor, 2021

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi këtë të martë i shoqëruar nga ministrja për Shtetin, rininë dhe Fëmijët ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Izrael.

Ato kanë marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga IMPROVATE, një organizatë që punon për avancimin e teknologjisë izraelite dhe që shërben njëherësh si një platformë për të lidhur liderët, vendimmarrësit apo investitorët me kompanitë e teknologjisë dhe inovacionit.

Peleshi ishte folës kryesor në një nga panelet me temë: “Mbrojtja kibernetike”.  Ministri në fjalën e tij ka theksuar faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë humbur mjaft kohë në një sistem të gabuar para viteve ‘90, kështu që tani duhet të vrapojmë që të arrijnë vendet e përparuara në teknologji. Ndaj ministri i Mbrojtjes, që në fillim të fjalës së tij, ftoi bizneset izraelite të kapitalit për sipërmarrje inovative.

Ndër të tjera Peleshi ka thënë se zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit kanë sjellë përfitime të mëdha, por njëkohësisht sfida dhe kërcënime po aq të mëdha, çka e bën jetësore mbrojtjen dhe sigurinë kibernetike. Në këtë pikë, ministri kërkoi më shumë angazhim, bashkëpunim e koordinim më të madh ndërkombëtar, për të ofruar siguri kundër sulmeve kibernetike të çdo lloji.

“Vendet e zhvilluara sigurisht që do të drejtojnë, por në të njëjtën kohë ato duhet t’i asistojnë, mbështesin dhe ndihmojnë të tjerët që të përparojnë dhe të krijojnë elasticitetin dhe mjetet e nevojshme në fushën kibernetike. Jemi dëshmitarë të shtimit të sulmeve kibernetike ndaj shërbimeve të infrastrukturës. Subjektet me qëllime keqdashëse po shfrytëzojnë përdorimin e internetit, i cili ka krijuar pika të cenueshme për sigurinë e tyre. Për më tepër, gjatë pandemisë, veçanërisht në vitin 2020, kaluam drejt punës në distancë. Kjo krijoi terren të pasur dhe tani është më e lehtë se kurrë për të ekzekutuar çdo sulm kibernetik”, u shpreh ministri Peleshi.

Sipas Ministrit të Mbrojtjes, “sulmet kibernetike kërcënojnë të sulmojnë thelbin e demokracive liberale, vullnetin e lirë të shoqërive moderne”. Ai foli për përpjekjet që po bën qeveria shqiptare, e cila po investon gjithnjë e më shumë në inovacion, teknologji dhe infrastrukturë digjitale për të ofruar shërbime digjitale për qytetarët tanë.

Si një aleat i NATO-s, Shqipëria gjithashtu njeh hapësirën kibernetike si domenin e pestë të luftës, krahas tokës, detit, ajrit dhe hapësirës. Kështu, ne kemi krijuar në Forcat e Armatosura Shqiptare “Njësinë Ushtarake për Sigurinë Kibernetike” dhe mbështetemi te partnerët tanë strategjikë për ta zhvilluar më tej atë. Për më tepër, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë synon të ndryshojë dhe të japë shembull duke krijuar qasje të re ndaj inovacionit, sinergji të re në fushat e kapaciteteve ushtarake, mbrojtjes civile dhe sigurisë kibernetike. Ne mezi presim të ofrojmë një mjedis të favorshëm për zhvillimin e zgjidhjeve inovative duke krijuar “Ekosistemin e Inovacionit” brenda Institucionit të Mbrojtjes”, theksoi ministri Peleshi.

Së shpejti Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri do të marrë si pjesë të fushës së përgjegjësisë së saj politik bërjen dhe monitorimin e mbrojtjes kibernetike, duke u kthyer në institucionin qendror të politikave, rregullave, standardeve të mbrojtjes kibernetike, jo vetëm për hapësirën e sigurisë dhe mbrojtjes ushtarake, por edhe për të gjithë sistemet e tjera infrastrukturës kritike, private e publike./abcnews.al