Marrëveshje Kosovë-Serbi brenda javësh? Eksperti: Situata në veri mund të përshkallëzohet sërish, EULEX të jetë “gjyqtari”

schedule18:09 - 21 Tetor, 2022

schedule 18:09 - 21 Tetor, 2022

I ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar para largimit nga Kosova dhe udhëtimit drejt Serbisë, tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin franko-gjerman për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Escobar tha se diplomatët evropianë që janë të angazhuar në këtë proces i kanë thënë atij se kjo është çështje javësh.

“Ne do ta mbështesim këtë. Ne mendojmë, se sikurse na është shpjeguar, ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht Serbisë, në integrimet euro-atlantike. Po, e mbështesim plotësisht. Dhe, më duhet të shtoj se ne gjithmonë e kemi përkrahur njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran dhe ne do ta mirëprisnim në OKB dhe në të gjitha strukturat e tjera evropiane”, tha Escobar.

Eksperti i sigurisë, Drizan  Shala, i ftuar në emisionin “Ballkan” në Abc me gazetaren Linda Karadaku diskutoi mbi çështjen e pazgjidhur të targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët që drejtojnë  makina me targa që i lëshon Serbia, t’i riregjistrojnë ato në RKS, Republika e Kosovës.

Afati i fundit është 1 nëntori. Eksperti tha se situata në veri është e tensionuar dhe një veprim i njëanshëm pas 1 nëntorit do të sillte përshkallëzim të situatës në veri.

Shala: 31 tetori do të jetë data kur Kosova e ka lënë si kohën e fundit, kur qytetarët  serbë me targa të strukturave paralele, duhet t’i ndërrojnë. Kemi afro 14 qytetarë që i kanë ndërruar target deri tani, ku gjithsej kanë mbetur pa ndryshuar edhe 9 mijë. As 1% nuk është arritur, pavarësisht fushatës së kryeministri dhe institucioneve. Me këtë po kuptohet që Beogradi është thellë i involvuar në jetën e qytetarëve të Serbisë. Propozimi për 10 muaj shtyrje u propozua fillimisht nga Escobar. SHBA dhe BE janë të sinkronizuar. Nëse bëhet një verim konkret nga ana e Kosovës më 1 nëntor  atëherë do të ketë një tensionim të situatës, ashtu siç patëm edhe në korrik. Pati të shtëna me armë, keqtrajtime dhe mbjellje frike. Në këtë veprim një veprim i njëanshëm dhe i pamenduar mirë do ta lëndojë sigurinë e Kosovës.

Joana Lachana, zëdhënëse e BE në Kosovë për sundimin e ligjit në EULEX, deklaroi për “Ballkan” se situata në veri është e qetë por e tensionuar.

Sipas ekspertit EULEX duhet të luajë rolin e një gjyqtari dhe të mundohet të ulë tensionet.

Shala: Çështja në veri është e monitorueshme nga ndërkombëtarët. Shteti i Kosovës duke pasur parasysh situatën ka përgatitur një plan operativ, ka shtuar planin e personelit në rast se do të ketë nevojë për një intervenim. Situate është e tensionuar, nuk është e qetë dhe mund të eskalojë në rast se do të merren vendime që do të ketë zhvillime në terren. Në këtë rast SHBA janë garantuesja e vetme e pavarësisë së Kosovës. Një veprim i njëanshëm nga ana e Kosovës do të sillte tensionim të situatës dhe do të çonte qeverinë në shtëpi. Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kanë luksin të shkojnë në zgjedhje. Është koha optimale, jetike dhe e domosdoshme që Kosova dhe Serbia ta përmbyllin kapitullin e tyre dhe të ketë një njohje reciproke. Eulexi duhet të luajë rolin e një gjyqtari dhe të mundohet të ulë tensionet.

Janë targa të cilat i prodhojnë në Rashkë të Serbisë. Këto targa nuk duhet të përdoreshin, ishte dhe marrëveshja në Bruksel që këto targa duhet të dilnin nga qarkullimi./Abcnews.al.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!