TIRANË- Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë do të kthehet në një pikë referimi për Ballkanin dhe do të renditet mes qendrave të ekselencës në Europë.
Kryeministri Edi Rama tregoi synimin e qeverisë, i cili tha se është plotësisht i mundur.
Kjo pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes QSUT, Universitetit të Mjekësisë me qendrën spitalore universitare të ekselencës europiane “San Rafaele” dhe universitetin “ Vita Salute San Raffaele”.
Ky është moment historik për shëndetësinë tonë, për QSUT dhe për vetë Shqipërinë, sot ne hapim një faqe krejt te re”, tha Rama.
Spitali më i madh në vend pritet të transformohet brenda pesë viteve të ardhshme.
“Deri në 2030 QSUT do të pësojë atë transformim që grupi i San Rafaeles ka sjellë në Poloni duke u përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha proceset, ne menaxhim te qendrës, organizmi I jetës së përditshme të qendrës dhe duke bashkuar profesionistet e te dy aneve San Rafaele dhe QSUT”, tha Rama.
Ndërsa Universiteti i Mjekësisë në Shqipëri do të lëshojë diploma të njëjta me atë në Itali.
Me synimin që sipas kryeministrit shqiptarët të mos dalin jashtë vendit për t’u arsimuar dhe për të marrë shërbim shëndetësor dhe të huajt të vijnë në Shqipëri.
“T’i japim të gjithëve mundësinë të bëjnë në QSUT, jo Itali, Turqi, t’u japim mundësi te gjithëve jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, rajoni e të dalin nga ky universitet me diploma të nivelit më të lartë”, shtoi ai.
Baza e besimit për këtë transformim tha kryeministri gjendet tek personeli, mjekët dhe infermierët në QSUT. /abcnews.al