“Marrëveshja në fije të perit për t’u grisur”, Bylykbashi i përgjigjet Ramës

schedule20:34 - 18 Qershor, 2020

schedule 20:34 - 18 Qershor, 2020

I ftuar në  “Mbrëmje në Abc” me Mirela Milorin, përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi foli për zhvillimet e fundit lidhur me këtë tryezë.

Pas mbledhjes së pasdites së sotme, Bylykbashi sqaroi edhe mosdakordësinë që kanë hasur me mazhorancën për formulën e KQZ, të propozuar nga opozita.

“Propozimi ynë është certifikuar nga Venecia, është në Kushtetutë, është zbatuar. Është e çuditshme se si PS njëherë e lavdëron dhe njëherë e refuzon. Deri dje refuzimi ishte se procesi duhet të ishte në Parlament. Ne bëmë hapin e dytë, të njëjtin mekanizëm e sposton te kryetari i Kuvendit. Këmbëngulja është kërkesa e mazhorancës, që është një mur që të gjithë vendimet të merren me shumicën e thjeshtë. Ne themi shumicë të cilësuar.  Sot është ekzakt kështu, KQZ i merr këto vendime me shumicë të cilësuar. Ne themi që duhet të jetë me shumicë të cilësuar. Vendimet për ankimet duhet të jenë me shumicë të cilësuar”, tha ai.

Bylykbashi i është përgjigjur edhe kryeministrit Edi Rama, i cili tha në Kuvend se “marrëveshja është në fije të perit për t’u grisur”. Demokrati theksoi se është kurioz të shohë se si këputet si fije peri një marrëveshje që është me kontribut të ndërkombëtarëve

“Jam shumë kurioz të shoh se si e këput atë fije peri në një marrëveshje që është me kontribut të ndërkombëtarëve. Por ka marrë që nga vlerësimi i Odhir, nga BE, por edhe nga Pompeo. Jam shumë kurioz ta shoh dhe Ramën se sa kurajo do ketë. Jam shumë kurioz për ata deputetë që tundin letra në dorë se si dalin kundër kësaj. Jam shumë kurioz ti shoh sa trima dalin përpara të gjithë interesit publik shqiptar”, tha Bylykbashi.

Më tej, ai u shpreh i bindur se identifikimi biometrik do të realizohet 100% në zgjedhjet e ardhshme në të gjithë vendin.

“100% në të gjitha qendrat e votimit. Kemi angazhimin politik. Do të ketë edhe një asistencë nga ekspertë ndërkombëtarë, për të garantuar se mazhoranca nuk saboton procesin. Do të ketë një rol të rëndësishmë zv.komisioneri. bllokues do të jetë komisionari që do vërë mazhoranca, ai mund të bllokojë aktet”, tha Bylykbashi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!