Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetin e tij social Facebook lajmin e shumëpritur për të gjithë emigrantët shqiptar në shtetin fqinj. Gjatë vizitës së Melonit në Shqipëri në kuadër të samitit, kryeministria solli edhe dokumentin final mbi zbatimin e marrëveshjes së pensioneve. Rama tha se që prej 1 qershorit të këtij viti, shqiptarët do të përfitojnë nga marrëveshja kuptimplotë.
“LAJM I MIRË dhe i ndarë veç për t’i dhënë vëmendjen e duhur, jashtë vorbullës së Samitit të Komunitetit Politik Europian:
Motra solli në Tiranë dokumentin final të procesit të gjatë ligjor mbi zbatimin e Marrëveshjes së Pensioneve me Italinë, që do të thotë se nga 1 qershori 2025 shqiptarët e Italisë do të nisin të përfitojnë nga kjo marrëveshje kuptimplotë për nivelin e ri të marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë.” , shkruan Rama.
Përmes marrëveshjes, do të mbulohen pensionet e pleqërisë, sigurimet për përfitimet për sëmundjet, si dhe sigurimin për papunësinë si për shqiptarët që jetojnë në Itali, ashtu edhe për shtetasit italianë që jetojnë e punojnë në Shqipëri dhe derdhin kontributet e tyre këtu.
Përfitues në vitin e parë të zbatimit parashikohet të jenë 1mije e 387 persona dhe kjo do t’i kushtojë buxhetit të Italisë 12 milionë euro .
Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen.

