Marrëveshja e armëpushimit Izrael-Hamas/ Biden i drejtohet kombit: Së shpejti pengjet do të kthehen në shtëpi

schedule20:46 - 15 Janar, 2025

schedule 20:46 - 15 Janar, 2025

SHBA- Presidenti i SHBA, Joe Biden konfirmon marrëveshjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamas. Ai pohoi se amerikanët do të jenë pjesë e fazës së parë të lirimit të pengjeve.

“Sot, pas shumë muajsh diplomacie intensive nga Shtetet e Bashkuara, së bashku me Egjiptin dhe Katarin, Izraeli dhe Hamasi kanë arritur një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh”, tha Biden në një deklaratë për mediat.

Biden, në një konferencë shtypi, tha se elementët e kësaj marrëveshjeje janë ato që ai përcaktoi në detaje në maj 2024 dhe se faza e parë do të zgjasë gjashtë javë dhe përfshin një “armëpushim të plotë, tërheqje të forcave izraelite nga të gjitha zonat e populluara të Gaza dhe lirimi i një numri pengjesh të mbajtura nga Hamasi.”

Në këmbim, Izraeli do të lirojë qindra të burgosur palestinezë.

“Jam krenar të them se amerikanët do të jenë pjesë e lirimit të pengjeve në fazën e parë”, tha ai.

Ai pohoi se “Së shpejti pengjet do të kthehen në shtëpi te familjet e tyre”. Biden në mbyllje të fjalës u pyet se kush duhet të marrë meritat për marrëveshjen, ai apo  Donald Trump.

Këtij interesi të drejtpërdrejtë të gazetarëve, Joe Biden iu përgjigj me pyetjen: “A është kjo një shaka?, duke nënkuptuar se suksesi për arritjen e armëpushimit erdhi si pasojë e “punës në ekip”.

Ndërkohë, kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, nga Doha pohoi se është arritur një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit. Marrëveshja sipas tij do të hyjë në fuqi të dielën, më 19 janar.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!