Pas dështimit të Francës dhe Gjermanisë, tani është radha e Mbretërisë së Bashkuar për të bindur presidentin amerikan Donald Trump që të mos tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Për këtë në Uashington po lobon ministri i Jashtëm Xhonson.
Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson i ka bërë thirrje presidentit Donald Trump që të mos braktisë marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke thënë se “largimi do të ishte një gabim shumë i madh”. Shefi I Diplomacisë britanike gjendet në Uashington në një përpjekje për të bindur Shtetet e Bashkuara që të rrespektojnë paktin ndërkombëtar, i cili detyron Iranin të kufizojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të saknsioneve ekonomike.
Duke shkruar për gazetën Nju Jork Tajms, Johnson argumenton se “vetëm Irani do të përfitojë “ nga braktisja e masave shtrënguese për programin nuclear. “Nga të gjitha mundësitë që kemi për të siguruar që Irani nuk do të posedojë kurrë një armë atomike, ky pakt ofron shumë pak disavantazhe”, theksoi zyrtari britanik duke pranuar që akordi mund të ketë dobësi, por u shpreh i bindur se ato mund të rregullohen. Më tej njoftoi se Britania po punon me SHBA-të, Francën dhe Gjermaninë për ta përmirësuar atë.
Ndërkohë, Johnson nuk do të takohet me Trump gjatë qëndrimit të tij në Uashington, por vetëm me nënpresidentin Mike Pence, Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare John Bolton dhe disa anëtarë të Kongresit.
Britania e Madhe dhe aleatët e saj në Europë kanë kohë deri më 12 maj që të bindin presidentin amerikan Donald Trump të respektojë marrëveshjen. Megjithatë, ai pakt është cilësuar nga kreu i Shtëpisë së Bardhë si “çmenduri” dhe si marrëveshja më e keqe në historinë e SHBA-së. Britania, Franca dhe Gjermania kanë punuar për disa javë në mënyrë të fshehtë në përpjekje për të ruajtuar akordin, i cili është arritur nën administratën e Barak Obamës dhe përfshin firmën e Rusisë dhe Kinës. /abcnews.al