Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror (LNG), duke shënuar një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe në rritjen e sigurisë energjetike të vendit.
Projekti parashikon ndërtimin e terminaleve të LNG-së në Vlorë, duke krijuar mundësi për diversifikimin e burimeve të energjisë.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, theksoi se energjia është kthyer në një element kyç në kontekstin global, veçanërisht për shkak të zhvillimeve në Ngushticën e Hormuzit, që kanë rritur nevojën për rezerva dhe burime alternative.
Sipas tij, marrëveshja me SHBA-në jo vetëm që hap rrugë për bashkëpunim ekonomik, por edhe konsolidon partneritetin strategjik, duke e pozicionuar Shqipërinë qartë në kuadër të politikave gjeo-strategjike perëndimore. Investimi në këtë projekt konsiderohet i rëndësishëm dhe me ndikim afatgjatë për ekonominë dhe sigurinë energjetike të vendit.
“Energjia tashmë është kthyer në një element shumë i rëndësishëm. Ngushtica e Hormuzit ka kthyer nevojën për të pasur sa më shumë rezerva energjie. Shikohet mundësia për të pasur burime alternative nga vendet e tjera. Në këtë kuadër është përdorur edhe marrëveshja me Shqipërinë, për të ndërtuar në Vlorë terminale të gazit të lëngshëm.
Natyrisht që do marrëveshje që lidhet me bizneset me SHBA, forcon partneritetin strategjik, për të cilën Shqipëria tashmë nuk ka më mëdyshje. E konsiderojnë strategjike çdo marrëveshje apo ndihme. Shqipëria strategjikisht ka bërë një zgjidhje në këtë pikë. Pjesë e kësaj marrëveshjeje strategjike, kupton çdo marrëveshje apo projekt dhe është pjesë e politikës gjeo-strategjike. Vlera e investimit duke e konsiderueshme”, u shpreh eksperti.


