Në një kohë kur Donald Trump ka paralajmëruar mbajtjen së shpejti të një takimi të dytë me homologun Vladimir Putin, Senati i ka vënë shkopin ndër rrota presidentit amerikan, duke prezantuar një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, për ndërhyrjet e saj në politikën amerikane.
Senatorët republikanë dhe demokratë në Shtetet e Bashkuara prezantuan të enjten një projektligj që parashikon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë. Bëhet fjalë për lëvizjen më të fundit të ligjvënësve amerikanë për të ndëshkuar Moskën në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale dhe aktivitetet e saj ushtarake në Siri dhe Ukrainë. Drafti përfshin kufizime për transaksionet financiare të Rusisë, për naftën, gazin dhe importin e uraniumit rus, si dhe një sërë figurash të njohura nga politika e biznesi. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, tregjet ruse reaguan menjëherë ndaj publikimit të projektligjit, duke regjistruar një rënie të vlerës së rublës dhe bondeve të dollarit. Senatori republikan Lindsey Graham, një nga promovuesit kryesorë të masave të reja, ka deklaruar se sanksionet e deritanishme kanë dështuar në parandalimin e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet afatmesve që mbahen në fund të 2018-s. Kongresi miratoi një paketë sanksionesh verën e kaluar, por disa ligjvënës kritikuan presidentin Donald Trump se nuk dëshironte ta implementonte atë, edhe pse kaloi me një shumicë të theksuar votash. Drafti i senatorëve vjen në një kohë kur Trump po përpiqet të ripërtërijë marrëdhëniet me Rusinë dhe kur pas samitit të Helsinkit me presidentin Putin ka paralajmëruar mbajtjen së shpejti të një takimi tjetër. /abcnews.al

