Marrëdhëniet tregtare, SHBA dhe Kina ulen në tryezë

schedule19:46 - 3 Maj, 2018

schedule 19:46 - 3 Maj, 2018

Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë ulur në tryezë për të diskutuar mbi të ardhmen e marrëdhënieve tregtare, pas paralajmërimeve të Uashingtonit për rritjen e taksave për produktet e importuara. Ndërkohë, presidenti Trump ka vlerësuar sërish miqësinë me homologun kinez Xi Jinping.

Një delegacion amerikan ka mbërritur të enjten në Pekin për të diskutuar mbi marrëdhëniet tregtare dypalëshe, të acaruara pas paralajmërimeve të presidentit Trump për taksimin me vlerë 50 miliardë dollarë të mallrave kineze. Sipas mediave lokale, ka pak gjasa që vizita dyditore të çojë në një ndryshim drastik të politikave ekonomike të Kinës. Sidoqoftë, një paketë masah të përkohshme që do të paraqitet nga pala kineze mund të sjellë një shtyrje të vendimit të Uashingtonit. Bisedimet do të udhëhiqen nga sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin dhe zëvendës kryeministri kinez Liu He.

Pritet që krahas praktikave tregtare të Pekinit, të cilat Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë ilegjitime, sekretari amerikan të prekë edhe ato të qeverisë kineze për zhvillimin teknologjik. “Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Faleminderit të gjithëve”, ishte përgjigjia që Mnuchin dha kur mbërriti në hotel, ku u pyet nga gazetarët nëse priste progres.

Ndërkohë, paralelisht, presidenti Trump postoi në Twitter një mesazh ku vlerësoi marrëdhëniet mes tij dhe homologut kinez Xi Jinping. “Ekipi ynë financiar është në Kinë për të negociuar rregullat tregtare! Mezi pres të takohem sërish me presidentin Xi në një të ardhme jo të largët. Ne do të kemi gjithmonë një marrëdhënie të veçantë”, tha Trump. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!