“Marka politike” e Donald Trump, po vazhdon të përhapet në të gjithë botën

schedule17:44 - 16 Shtator, 2021

schedule 17:44 - 16 Shtator, 2021

Nga Frida Ghitis, CNN

Ndoshta ky është një burim krenarie për ish-presidentin amerikan Donald Trump. Por për pjesën tjetër të botës, të shohësh që trazirat e fundit politike në SHBA të imitohen në vendet e ndryshme të botës, nga lindja në perëndim, është diçka krejtësisht tjetër.

Shembulli i krijuar nga Trump -përçmimi dhe sulmet ndaj demokracisë së një vendi -është shndërruar tani në modelin e të gjithë lojtarëve politikë me prirje autoritare në të gjithë globin. Tendenca e Trump për t’i denoncuar ato që sipas tij ishin “lajme të rreme!”-qasje të cilën ai e përdori me njëfarë suksesi për të diskredituar gazetarët profesionistë- po përdoret tani nga diktatorët për të shtypur median e lirë në vendet e tyre, teksa pretendimi i zgjedhjeve të “manipuluara”po përdoret nga të gjithë ata që nuk munden që të fitojnë mbështetjen e votuesve, teksa përpiqen të fitojnë pushtet.

Ndërsa zyrtarët e sigurisë në Uashington janë duke u përgatitur mbi mundësinë e një dhune me të madhe gjatë tubimit të 18 shtatorit, që është thirrur të mbahet në mbështetje të kryengritësve të akuzuar si përgjegjës për trazirat në Capitol Hill në fillim të këtij viti, dhe ndërsa Donald Trump ka lënë të kuptohet se do të rikandidojë në zgjedhjet e vitit 2024, “marka” e tij politike po vazhdon të përhapet si një infeksion që është i vështirë të frenohet dhe që shpërfill tërësisht kufijtë kombëtarë.

Në Mianmar, e njohur edhe si Burma, partia e mbështetur nga ushtria pësoi një humbje të rëndë nëntorin e vitit të kaluar, në të njëjtën kohë kur Trump humbi me miliona vota në garën e tij për një mandat të dytë. Ndoshta gjeneralët birmanezë po ndiqnin më vëmendje reagimin e Trump.

Ata protestuan menjëherë, duke pretenduar mbi manipulimet sipas tyre të mëdha në procesin zgjedhor, dhe duke refuzuar me vendosmëri që të pranonin rezultatin e tyre, pavarësisht konfirmimit nga autoritetet përkatëse se zgjedhjet ishin në përgjithësi korrekte dhe rezultati i vlefshëm.

Më 1 shkurt të këtij viti, ushtria arrestoi sërish Aung San Suu Kyi dhe udhëheqës të tjerë të partisë fituese Aleanca Kombëtare për Demokracinë, dhe më pas e mori vetë pushtetin. Që nga ajo kohë, rezistenca ndaj grushtit të ri të shtetit vetëm sa është intensifikuar, po ashtu edhe numri i jetëve të humbura nga regjimi i pamëshirshëm.

Tatmadaw, siç njihet ushtria në Mianmar, ka vrarë më shumë se 1 mijë qytetarë. Qeveria në mërgim po bën thirrje për një kryengritje mbarëkombëtare kundër juntës ushtarake tiranike. Lufta civile është një mundësi reale. E përsëris, rezultatet e zgjedhjeve ishin korrekte.

Por humbësit refuzuan ta njohin rezultatin. Dhe shumë nga kandidatët fitues ndodhen ende në burg.

Në Brazil, presidenti Jair Bolsonaro, një admirues i hapur dhe imitues i Trump, po ndjek hapat para-elektoralë të Trump-it. Menaxhimi i pandemisë prej tij ishte aq katastrofik – dhe korrupsioni i dyshuar në qeverinë e tij aq shumë i shfrenuar – sa qëBolsonaro renditet shumë dobët në sondazhe, pikërisht përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm. Bolsonaro po pretendon se votimi elektronik, që ka një histori të gjatë, të qëndrueshme dhe shumë të besueshme në Brazil, do t’i manipulojë zgjedhjet kundër tij.

Ai ka kërcënuar se do t’i anulojë zgjedhjet, dhe po nxit zemërimin e mbështetësve të tij, duke i nxitur ata ta dalin të protestojnë nëpër rrugë. Sulmet e tij mbi besueshmërinë e zgjedhjeve, kanë sjellë nisjen e hetimeve zyrtare si sjellje potencialisht kriminale. Ndërkohë, Kongresi ka refuzuar tashmë synimin e tij për të anuluar votimin elektronik.

Por kjo nuk ka rëndësi për Bolsonaron, që tashmë po krijon Gënjeshtrën e tij të Madhe:Duke nënvlerësuar besimin tek sistemin zgjedhor, ai po hedh bazat për të refuzuar rezultatin e zgjedhjeve, duke shpresuar që mbështetësit do të forcojnë pozitën e tij kur ai të pretendojë se në fakt nuk ka humbur.

A nuk duket kjo si një skemë e njohur?Po ju sjellim një shembull nga Peruja, vendi ku sapo u zhvilluan zgjedhjet presidenciale që prodhuan një rezultat shumë të ngushtë, duke vënë përballë një kandidat të ekstremit të majtë kundër atij të së djathtës ekstreme.

Kur numërimi i votave nisi të anojë fitoren drejt kandidatit të majtë Pedro Castillo, kandidati i djathtë Keiko Fujimori, nisi të përdorë tezën e manipulimit të zgjedhjeve, duke pretenduar se partia e Castillo po zbatonte “strategjinë” e“shtrembërimit të vullnetit të qytetarëve”.

Ajo nuk mund të ofronte asnjë dëshmi të besueshme, dhe në fund Castillo fitoi presidencën me 44.263 vota më tepër se kundërshtari. Në kushtet kur tensionet në një palë zgjedhje janë shumë, akuzat se procesi është manipuluar kanë potencialin të shkaktojnë akte dhune, për të mos përmendur mundësinë që ato në fund të kenë sukses në deformimin e zgjedhjeve.

Nuk është për t’u habitur, pse pretendimet e rreme për manipulimin e zgjedhjeve, po hedhin rrënjë edhe në Shtetet e Bashkuara. Dhe ndonjë version i motos së Trump “Nëse nuk fitoj, atëherë ka pasur manipulime”, do të bëhet gjithnjë e më i zakonshme në disa qarqe të Partisë Republikane.

Në zgjedhjet në Kaliforniqë do të mbahen këtë javë, kandidati republikan Larry Elder, një personalitet i së djathtës ekstreme, ka paralajmëruar se “mund të ketë manipulime”, në rast se fitues do të dalë guvernatori aktual demokrat Gavin Newsom.

Sondazhet tregojnë se Newsom ndodhet në pozita të forta, dhe kjo duket se është arsyeja pse Elder nxjerr tani pretekstin e manipulimeve. Në rast se dikush ka dyshime, ai shpjegon se me termin “manipulim” ai nënkupton atë që i ndodhi Trumpit në zgjedhjet e vitit 2020.

Dhe ajo që i ndodhi Trumpit në vitin 2020 është se ai humbi përballë Biden. Ajo që ndodhi me SHBA-në, është se Trump pretendoi në mënyrë të rreme se ishte ai që fitoi dhe ndjekësit e tij, përfshirë shumicën e Partisë Republikane, e cila duket e vendosur që ta përqafojnë atë gënjeshtër.

Kjo teknikë mashtrimi është si një bakteri vdekjeprurës, që në fillim shfaqet në një cep të botës dhe pastaj përhapet gjerësisht, me pasoja që mund të rezultojnë katastrofike për qindra miliona njerëz. Ndoshta duke parë se në të gjithë botën përpiqen ta imitojnë, e bën të ndihet krenar ish-presidentin Trump. Ndërsa por për ne të tjerët, kjo ringjall atë koktejin e vjetër e të njohur të zhgënjimit, trishtimit, zemërimit dhe shqetësimit të thellë./Përktheu: Alket Goce-abcnews.al