Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s thotë se aleanca po monitoron situatën aktuale në Korenë e Jugut dhe se marrëdhënia e saj me Seulin ishte “e hekurt”.
“Ne po ndjekim ngjarjet në Korenë e Jugut, ne jemi të interesuar se si situata mund të zhvillohet më tej,” tha Mark Rutte në një takim të NATO-s në Bruksel.
“Marrëdhënia jonë me Korenë e Jugut është thelbësore, marrëdhënia jonë me Korenë e Jugut është e hekurt,” shtoi ai.
Partitë opozitare të Koresë së Jugut e dorëzuan të mërkurën një mocion për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol, i cili po përballet me trysni për të dhënë dorëheqje disa orë pasi përfundoi ligji jetëshkurtër ushtarak i shpallur nga ai.
Mocioni, i dorëzuar bashkërisht nga partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, dhe pesë parti të tjera më të vogla opozitare, mund të hidhet në votim të premten.
Të martën në mbrëmje, Yoon papritur e shpalli ligjin ushtarak, duke u zotuar t’i shfaroste forcat “antishtetërore”, pasi hasi në vështirësi për ta shtyrë përpara agjendën e tij në Parlamentin e mbizotëruar nga opozita. Por, ligji i tij ushtarak u zbatua për vetëm rreth gjashtë orë, pasi Asambleja Kombëtare votoi për ta rrëzuar atë./abcnews.al