Edhe pse njihet personalisht me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, pedagogu Mark Marku, i ftuar në emisionin “Provokacija”, ka treguar disa nga rezervat e tij në lidhje me drejtuesin e institucionit që merret me sigurinë në vend.
Ai u shpreh se ka pasur një dyshim, që posti i ministrit të Brendshëm do të ishte një kurth për Lleshajn. Ky dyshim i është verifikuar më vonë dhe për pasojë, duke qenë se ka njohje me të, zhgënjimi tek analisti ka qenë më i madh.
“Jemi në një shoqëri ku ndikojnë njohjet personale. Unë kam pasur një rezervë që pavarësisht se e kam njohur Sandrin personalisht dhe e kam vlerësuar dhe vazhdoj ta vlerësoj, personalisht kam pasur një dyshim dhe një lloj shqetësimi prej miku që ky post për të do jetë një kurth shumë i madh për një arsye. Sepse pavarësisht asaj që kemi bërë me Xhafajn për shkak të problemeve me vëllain, ai nuk u hoq për atë. Ai u hoq në momentin që kishte paralajmëruar disa arrestime të bujshme dhe pikërisht kur po përgatiste arrestimin e disa personazheve politikë, flitej edhe për kryetarin e Bashkisë së Durrësit. Ne dinim që po përgatiteshin ato. U shfrytëzua ky momenti i vëllait, por nuk u hoq për atë. Unë mendoj se ai u hoq për të mos bërë këto goditje. Momentin që vjen tjetri, presupozohet që të mos i godasë, kështu që bën një kompromis. Një dyshim i vogël që më vonë më është verifikuar nga mënyra si e ka ushtruar funksionin dhe si ka funksionuar Ministria e Brendshme që praktikisht ka funksionuar si instrument politik duke lënë mënjanë të gjitha problemet e mëdha që ka rendi në Shqipëri. Në rastin kur ti ke një person që të dhimbset për shkak të pakënaqësisë që ke, normalisht qëndrimi është edhe më emocional dhe zhgënjimi është më i madh. Mua nuk do më zhgënjente një njeri që nuk e njihja.
Unë them që miku im të mos vihet në rolin e Hekuran Isait. Është një nga ministrat që ka një detyrë, të ushtrojë detyrën në përputhje me ligjin, kaq. Diskursi politik. Unë e kuptoj që mund të ketë dhe teprime, por diskursi politik i tij është shumë i ashpër dhe shumë provokues që nuk e ka asnjë ministër rendi në asnjë vend të botës. Një ministër rendi nuk merr përsipër të etiketojë opozitën. Si mundet ministër i rendit të etiketojë opozitën si banda. Nëse ti i akuzon si banda edhe ata të akuzojnë si bandë. Atëherë do ketë konflikt. Ti do konflikt civil?
Mënyra si flet ai tregon formimin e tij ushtarak. Nuk njeh të drejtën demokratike. I gjithë diskursi i tij tregon këtë mosnjohje dhe këtë mospranim. Ideja e konceptit tëushtarakut që kush me sulmon mua, unë do ta sulmoj dhe e konsideron shtetin si disa godina operacionale ku t’i bën një betejë. Beteja për pushtet është simbolike”, tha Marku.
Marku theksoi edhe një nga rastet kur Policia e Shtetit ka qenë në shkelje të pastër të Kushtetutës.
“Ne prej vitesh jemi kritikë ndaj Policisë së Shtetit dhe mënyrës si ka funksionuar Ministria e Rendit në raport me disa fenomene që janë bërë dominuese në shoqërinë shqiptare dhe që kanë krijuar shumë probleme. Për shembull, fenomeni i kriminalizimit të shoqërisë, i kanabizimit, i shndërrimit të vendit në një bazë operacionale për aktivitete kriminale. Ky ka përgjegjësi vetëm prej momentit që ka marrë përgjegjësinë si ministër. Nuk ka ndonjë ndryshim mendimi. I vetmi problem është që këtë e kemi njohur personalisht dhe ministrat e tjerë personalisht i kemi njohur por nuk kemi pasur marrëdhënie. Ajo që është shtuar në këtë rast mendoj që ndoshta dhe ka rënë në sy është se për shkak të situatës politike dhe roli i policisë në këtë situatë politike. Janë shtuar dy tre elementë të rinj që na kanë bërë ne të reagojmë. Roli që po luan policia në raport me protestat, qoftë të studentëve dhe të opozitës.
Në rastin e parë ka pasur shkelje flagrante të Kushtetutës. Një rast kur ka hyrë brenda territoreve, brenda asaj që është territor i universiteteve. Ka pasur dy raste te fakulteti jonë ku kanë ndërhyrë policia dhe ka kërcënuar studentë dhe pedagogë që të ndërpresin grevën, që është shkelje flagrante e ligjit. Nuk ka ndodhur kurrë që policia të hyjë në universitete”, u shpreh Mark Marku./abcnews.al