Maratona e Tiranës, më 20 tetor/ Veliaj: Mundësi për të promovuar kulturën dhe sportin

schedule13:29 - 12 Tetor, 2024

schedule 13:29 - 12 Tetor, 2024

Rreth 4 mijë garues nga vende të ndryshme të botës do të bëhen bashkë më 20 tetor në Maratonën e Tiranës.

Kryebashkiaku, Erion Veliaj gjatë një takimi me organizatorët, tha se Tirana është gati për të mirëpritur ngjarjen më të madhe sportive të vitit në edicionin e saj të tetë.

“Maratonën e Tiranës e kemi kthyer në traditë prej 8 vitesh. Do të vijnë vrapues nga Andorra, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Hungaria, India, Irlanda, Japonia, Lituania, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Anglia, dhe kur shikoj se kemi vrapues edhe nga Meksika, Maroku, Kenia, Kanadaja, do të thotë se praktikisht po na vjen e gjithë bota në shtëpi. Ne e dimë edhe nga historia e Luizës apo Taulantit, se një atlet është edhe një influencer. Praktikisht, kemi një super mundësi që këtë Tiranën që e njohim për jetën, gjallërinë, kulinarinë, e mikpritjen, ta njohë e gjithë bota”.

Në ditën e maratonës do të merren një sërë masash për kufizimin e qarkullimit të lëvizjes në disa prej rrugëve në kryeqytet.

“Do të doja shumë që ta përdorim këtë mundësi për të komunikuar me qytetarët, në mënyrë që kush preket nga perimetri i maratonës, ose të dalë pak më herët nga shtëpia, nëse do shkojnë diku për fundjavë, ose t’i lënë për pas dreke lëvizjet. Përveçse emergjencave, çdo qytet, edhe Nju Jorku, Tokio, Londra, Berlini, çdo vend që ju keni parë, maratonën e respekton si një mundësi e jashtëzakonshme për sportin. Nëse një turisti i duhen 10 ditë për të parë çdo gjë në Tiranë, ata të maratonës praktikisht për 1-2 orë do shohin gjithë pikat kryesore të Tiranës dhe do marrin shijen e qytetit tonë”.

Maratona e Tiranës zhvillohet si një manifestim për një jetesë të shëndetshme, por edhe mundësi për t’u marrë me sport.

Nga ana tjetër, kryebahskiaku Veliaj theksoi se kjo ngjarje sportive është një mundësi për të promovuar qytetin.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!