“Maranaj” | Nga LSI në PS dhe nga denoncues-i akuzuar, kush është Elton Radovani?

schedule12:58 - 14 Tetor, 2019

schedule 12:58 - 14 Tetor, 2019

Nga denoncues në të akuzuar. Si ndryshoi fati i ish-prefektit të Shkodrës Paulin Radovani dhe dy djemve të tij, Elton dhe Berti Radovani. Një prej tyre, pikërisht Eltoni u arrestua në Paraguaj në fillim të muajit Tetor, pasi për të ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, për llogari të shtetit Shqiptar.

Elton Radovani u arrestua në Paraguaj, pasi gjykata e Shkodrës e kishte lënë në burg me akuzën se ishte i përfshirë në një skenë mashtrimi financiar. Në grupin e fajdexhinjve rezultuan se ishin të përfshirë noterë, avokatë dhe 1 polic.

Në mëngjesin e 14 marsit forcat speciale zbarkuan në Shkodër duke organizuar një operacion që e kishin quajtur “Maranaj”. Në këtë blitz, specialët vunë në pranga 12 persona por nuk kishin arritur të arrestonin vëllezërit Radovani, pasi ata kishin mundur të largoheshin më parë jashtë vendit. Të arrestuarit u akuzuan se ushtronin veprimtari të paligjshme të dhënies së parave hua me një përqindje që varionte nga 3-20% dhe nëse nuk kthehej shuma e huasë, personat e përfshirë në këtë skemë, sekuestronin makinat dhe pronat e personave që kishin marrë huan. Nga ky operacion atë kohë u sekuestruan, toka, dyqane, mijëra euro dhe gjithashtu mori përgëzime edhe nga vetë kryeministri Rama.

Përshëndetje dhe përgëzime të gjithë forcave policore që u angazhuan në superoperacionin e Shkodrës, duke çmontuar dhe çuar prapa hekurave një grup kriminal keqbërësish. Sot Shkodra është më e qetë e më e sigurtë se asnjëherë dhe Policia e Shtetit çdo ditë më efikase”, përshëndeti në atë kohë forcat kryeministri.

Në fakt denoncimin e parë e kishte bërë babai i Elton Radovanit.

Paulin Radovani ishte për shumë vite me radhë edhe një biznesmen i njohur në Shkodër, sipërmarrës në fushën e fasonerisë. Në gjithë këto vite erdhi duke përforcuar biznesin e tij derisa prej 2-3 vitesh nisi një histori e paparashikuar. Dy djemtë e tij, si shkak i bixhozit dhe varësisë ndaj kazinove, nisën duke marrë hua, shuma të mëdha parash tek persona të ndryshëm në Shkodër.

Këto fajde bënë që ish-prefekti të nisë dhe të shesë disa prej pronave të tij. Disa i shiti brenda një kohe të shpejtë, ndërsa disa prona të tjera ia morën fajdexhinjtë duke qenë se nuk kishte shlyer tek ata borxhet që kishte. Disa të tjerëve nuk arriti që t’ia shlyente fajdet dhe kështu nisën që edhe t’i bënin presione.

I ndodhur mes këtyre problemeve në një moment Paulin Radovani ka vendosur që të shkojë në prokurori dhe të denoncojë disa prej emrave të cilëve ai vetë apo dy djemtë e tij i kishin marrë para hua.

Pas denoncimit të tij, prokuroria dhe policia nisën hetimet ndërsa shumë prej bisedave u regjistruan nga vetë ish-prefekti Radovani, i cili ka patur një përgjues që ia kanë dhënë prokurorët kur ka diskutuar këto çështje me fajdexhinjtë. Pas rreth dy muajsh erdhën edhe arrestimet në kuadër të operacionit “Maranaj” duke vënë në pranga shtetasit: Byrhan Alija, 61 vjeç, Edi Memçaj 33 vjeç, Adri Bala 22 vjeç, Artan Dragani ish kancelar ne gjykatën e Shkodrës 39 vjeç, Marjan Bregu 31 vjeç, Vinko Nikprelaj 37 vjeç, Eduart Fusha 38 vjeç, Elidon Qerimaj 41 vjeç, Pashko Vuksanelaj 54 vjeç, Lul Sylja 48 vjeç, Naim Ahmetaj 52 vjeç dhe Ilir Sokoli 38 vjeç, ish drejtor i patentave në Shkodër, 3 të tjerë u shpallën në kërkim  ndërsa u pezulluan nga detyra Valbona Hajdari notere në Shkodër dhe Ergys Lohja, efektiv policie.

Por Elton Radovani ishte i përfshirë edhe në politikë më parë, ku ishte pjesë e Këshillit Bashkiak të Shkodrës nga partia LSI, porse në Mars të 2018 katër këshilltar bashkiakë, mes tyre edhe Radovani, ikën nga LSI dhe iu bashkuan PS, me arsyetimin se koalicioni PD-LSI, ishte kthyer në një koalicion anti-shqiptar që kishte vënë në jetë një skenar të bekuar nga qarqet pro-ruse.

Largimin katër anëtarët e LSI e dhanë me anë të deklarate për shtyp.

Elton Radovani tashmë i arrestuar në Paraguaj, në vijim pritet të ekstradohet në Shqipëri./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!