Maqedonia në BE, Analistët: Më parë zgjidhni problemet e fqinjësisë

schedule19:55 - 8 Maj, 2019

schedule 19:55 - 8 Maj, 2019

Për analistët e çështjeve ballkanase, reformat e brendshme dhe ato për fqinjësinë e mirë mund ta përafrojnë Maqedoninë me BE-në më shumë se vendet e tjera të rajonit. Por, një anëtarësim i plotë nuk mund të flitet përpara vitit 2025, pasi ky vend ka probleme për të zgjidhur me Serbinë.

Një nga pjesëmarrësit në takimin rajonal për vendosjen e vlerave euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor, analisti politik serb Dushan Janjiq, sugjeron se viti 2025 është pritshmëri tepër optimiste për hyrjen e Maqedonisë ne familjen Evropiane, në dallim nga Mali i Zi, e cila është më përpara me negociatat. Përkatësisht duhet të shfrytëzohen negociatat për përparim të shoqërisë, për sundim të ligjit, zvogëlim të korrupsionit dhe të politikave të këqija.

Është më i rëndësishëm udhëtimi, të shfrytëzohen negociatat, të përforcohen dhe kur do të hyni në atë familje evropiane të jeni më të përgatitur për konkurrencë”, tha Dushan Janjiç, analist serb.

Por, për dallim nga Janjiq, analistja kroate Monika Begoviq, pjesëmarrëse në panel, është më tepër optimiste:

“Republika e Maqedonisë së Veriut tregoi se është shembull pozitiv dhe me këtë merr dritën jeshile, do të thoja, ndoshta shumë haptazi, por definitivisht dritë jeshile për vitin 2025 në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Një nga pengesat për përparimin e gjithë rajonit është kontesti i pazgjidhur mes Prishtinës dhe Beogradit, proces i cili sipas Janjiqit deri para pak kohwsh ishte “klinikisht i vdekur’, por mori nxitje për vazhdimin e takimeve mes politikanëve të rajonit me liderët e Francës dhe Gjermanisë në Berlin.

Përpos kësaj, Serbisë i mbetet të nënshkruajë edhe Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Maqedoninë për angazhime në paraqitje të përbashkëta dhe projekte për perspektivën evropiane, ka theksuar ai.

“E dyta, neve na mbetet një problem që nuk është drastik, por është një problem. Ky është bashkëpunimi në fushën e të drejtave të njeriut, mes të cilave të drejtat e pakicave dhe bashkësive fetare. Këtu është edhe problemi i heqjes dorë nga destabilizimi i sigurisë”, tha analisti Serb.

Janjiq ka përmendur edhe nevojën e zgjidhjes së problemeve të vogla rreth “demarkacionit” të disa pikave kufitare dhe qasjen ndaj disa manastireve dhe hapësirave në rajonin kufitar.

Që nga koha kur Maqedonia nënshkroi marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe Greqinë, u bë një lloj lidhjeje për Serbinë ndaj këtyre vendeve. Maqedonia e Veriut duhet të marrë angazhime edhe për prezantim të përbashkët me Beogradin në projekte infrastrukturore dhe projekte për siguri energjetike.

E gjithë kjo në kontekst të mbylljes së Kapitullit 31 në negociatat me BE-në, për politikë të jashtme dhe të brendshme, që sipas analistit serb do të jetë një sfidë më e madhe se sa për Maqedoninë, pasi ka të bëjë me bashkëpunimin e ardhshëm me Rusinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!