Poeti dhe studiuesi i letërsisë, Agim Vinca është ndalur në emisionin “Pas Mesnate” te situata në Maqedoninë e Veriut. Ai u shpreh se gjuha shqipe ka marrë vëmendje, por ka ende shumë punë. Ai ka theksuar se në vitet ’80 në Maqedoninë e Veriut ka qenë terrorr për gjuhën shqipe.
Sipas Vincës, Maqedonia e Veriut duhet të jetë shtet dykombësh. Sakaq, ai thënë se ka firmosur peticionin për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
“Unë kam qenë pjesë e rezistencës. Si intelektual kam siguruar që kam për obligim jo vetëm të shkruaj vjersha dhe poema, por ta ngre zërin në mbrojtje të integritetit, të popullit tim, në mbrojtje të gjuhës sime. Në vitet ’80 në Maqedoni ka qenë një terrorr i tmerrshëm, dmth ishte një politik tërësisht antishqiptare. Edhe në Kosovë, por në Kosovë do të vijë kjo në vitet ’90. Unë kam bërë atëherë shumë reagime, letra, të rrezikshme për kohën. U zhvillua një fushatë tërësisht kundra meje në vitin 1988, që ka arritur kulmin në mars të 1988. Pushteti dhe komuniteti i ka detyruar bashkëfshatarët e mi të deklarohen kundër meje. Kanë shkruar ata një letër dhe këta e kanë nënshkruar. Tre prej tyre ishin njerëz të pushtetit, dy ishin të padijshëm dhe thoshin: ‘Ne i gëzojmë të gjitha të drejtat’. Ndërkohë, në fshatin tim nuk kishte asnjë gërmë shqip.
Tani realiteti ka ndryshuar. Unë mendoj që gjendja e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk është më ajo që ka qenë. Unë mendoj që statusi i juridiko-kushtetues të shqiptarëve në Maqedoni që përbëjnë zyrtarisht 30% të popullësisë me regjistrim nuk është zgjidhur përfundimisht, sepse shqiptarët nuk janë në Kushtetutë si shtetformues. Duhet të jenë. Për mua Maqedonia e Veriut duhet të jetë shtet dykombësh, i maqedonasve sllavë, i shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë aty, se edhe ata kanë të drejtën e tyre në këtë qiell. Edhe gjuha shqipe do duhet të ishte gjuhë zyrtare në krejt territorin e Republikës së Maqedonisë, siç është gjuha serbo-kroate në Kosovë”, u shpreh ndër të tjera Vinca./abcnews.al