Maqedonia e Veriut bën analizën e ndërtimeve, zile alarmi pas tërmetit në Shqipëri

schedule15:40 - 2 Dhjetor, 2019

schedule 15:40 - 2 Dhjetor, 2019

Tërmeti tragjik në Shqipëri ka bërë që në vendet fqinjë të bien zilet e alarmit për ndërtimet në zonat me rrezikshmëri të lartë sizmike. Në Maqedoninë e Veriut, përveç Shkupit, në zonat me rrezikshmëri të lartë sizmike shtrihen edhe qytetet të tjera të vendit, në të cilat ekspertët thonë se jo të gjitha objektet janë të ndërtuara në mënyrë të sigurt. Sipas Ligjit për ndërtim çdo objekt mbi 300 metra katrorë duhet të marrë patjetër miratimin nga Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike. Por, sipas inxhinierit Hamdi Sulejmani, në Tetovë jo të gjitha këto objekte të mëdha kanë kërkuar leje nga ky institut për rezistencë ndaj tërmeteve.

Të gjitha objektet që pësojnë më tepër janë objektet e tilla, pasi që ndërtohen sipas dëshirës së investitorit. Me hekur apo pa hekur, me beton apo pa beton, me material të lirë apo jo cilësor. Kështu pësojnë njerëzit dhe përgjegjësi nuk mban askush, përveç kryetarit të komunës apo këshillit që ka legalizuar ato objekte. Është numër i madh, mbi 70%, është vërtetë e pa besueshme, deklaroi Hamdi Sulejmani, Inxhinier i Ndërtimit.

Komuna e Tetovës ka thënë se nuk kanë legalizuar asnjë objekt pa pëlqimin e Institutit Sizmologjik. Ndërsa Komuna e Kumanovës thotë se nëse një tërmet rrënon ndërtesat si pasojë e ndërtimit të dobët, përgjegjësia e plotë bie mbi investitorin e objektit dhe inxhinierin e ndërtimit. Zyra e Urbanizmit nga Komuna e Kumanovës tha se kërkesa për ndërtim përveç të gjitha dokumenteve të tjera, duhet të ketë të bashkangjitur edhe vërtetimin e Institutit të Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike për të vërtetuar se objekti është i qëndrueshëm ndaj magnitudave të caktuara të tërmeteve dhe ka të siguruar konstruktimin e sistemit të evakuimit. Nëse kjo nuk respektohet sipas projektit përgjegjës janë investitorët dhe inxhinierët.

Inspektorati shtetëror i ndërtimtarisë dhe urbanizmit si dhe inspektorët ndërtimor komunal mund të vënë gjoba deri më 17 mijë euro për kundërvajtje nëse gjatë ndërtimit të objekteve nuk respektohen rregullat e ndërtimit si dhe mund të bëjnë kallëzim penal që mund të ndëshkojnë në burg nga 1-5 vjet, nëse kompetentët nuk posedojnë vërtetimin se objekti i reziston tërmeteve.

Qyteti i Ohrit është i sigurtë, thonë nga kjo komunë, pasi ndërtimet në 15 vitet e fundit janë bërë nën masa të rrepta të mbikëqyrjes. Por, për objektet e ndërtuara pa leje dhe mbindërtimet ilegale nuk kanë siguri banimi në rast tërmeti.

Instituti i Inxhinierisë së Tërmeteve dhe Sizmologjisë Inxhinierike thotë se deri në 7 shkallë të Rihterit është qëndrueshmëria e objekteve të fabrikave të kategorisë A dhe të godinave të banimit të kategorisë B. Sipas këtij Instituti nëse bie termet me epiqendër në Maqedoninë e Veriut, me mbi 7 ballë dhe kohëzgjatja e lëkundjeve të tokës është mbi 30 sekonda, atëherë gjithçka mbetet në mëshirë të fatit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!