Analistët në Maqedoni mendojnë se Rusia vijon të ndërhyjë në punët e brendshme të Maqedonisë. Moska zyrtare tashmë ka lënë të kuptohet se në Kombet e Bashkuara ka për të ngritur problem për çështjen e emrit të ri të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, emër ky që hap dyert e integrimit në NATO-s e Bashkimin Evropian.
Rusia do të vazhdojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Maqedonisë, ndonëse është e vetëdijshme ne nuk ka forcë, nëse zbatohet Marrëveshja me Greqinë, të pengojë aderimin në NATO. Dimitar Beçev, analist politik nga Univesiteti amerikan i Çeper Hillit, thotë për seksionin maqedonas të Radios Evropa e Lirë se Moska përgatit një plan të ri të sofistikuar për Maqedoninë të mbështetur në veprime përmes internetit, propagandës dhe lajmeve të rreme.
“Mendoj se Rusia do të shfrytëzojë çdo mundësi që të ndërhyjë në punët e brendshme të Maqedonisë, ndonëse nuk është krejtësisht e qartë seçfarë mund të arrijë me këtë, për shkak se duket se aderimi i Maqedonisë në NATO tashmë është i sigurt. Barrierë e vetme mund të jetë vetëm ajo që ka për të ndodhur në Greqi. Nëse vështirësohet realizimi i Marrëveshjes, Rusia mund të nis të përdorë argumentet propaganduese të tipit se ky nuk është proces legjitim, se Perëndimi po e shtynë këtë proces, se ka presion jolegal që të realizohet Marrëveshja”, thotë Beçev.
Prej se procesi i aderimit të Maqedonisë në aleancat perendimore nisi të përshpejtohet, rikujton Radio Evropa e Lirë, Moska paralajmëroi mundësinë e përdorimit të vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kjo, sipas analistit Dimitar Beçev, është një retorikë e kuptueshme për shkak se pas pranimit të Maqedonisë në NATO, pas pranimit të Malit të Zi, kjo do të ishte disfata e dytë e politikës ruse në Ballkan brenda një kohe të shkurtër.
“Si retorikë, Rusia mund ta thotë këtë. Edhe atëherë kur nuk do të mund ta ndalë procesin, do të ketë reagime se Perëndimi është jokonstruktiv, dhe do të vazhdojnë politikën oportune. Do të thonë: Në rregull, e humbëm Maqedoninë, ama për ne Serbia është shumë e rëndësishme dhe atje do të vazhdojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë”, thotë analisti analisti politik nga Univesiteti amerikan i Çeper Hillit.
Duke folur po në këtë temë, Jacek Multanovski, ish-ambasador i Polonisë në Maqedoni, thotë se ofensiva e Kremlinit në fakt është përpjekje për të ndryshuar rendin ndërkombëtar.
“Mund të themi se Rusia po ushtron një politikë tejet agresive ndaj Perendimit dhe përpjekjet e saj kanë për qëllim ndryshimin e rendit ndërkombëtar, pa përfillur detyrimet ndërkombëtare”, thotë ish-kryediplomati polak në Shkup./abcnews.al