Në Maqedoni vijon puna e partive politike për amendamentet për ndryshimet kushtetuese që kërkohen nga marrëveshja e Prespës për emrin me Greqinë. Partitë shqiptare të Maqedonisë kanë komentuar edhe mos pranimin e kërkesave të tyre nga kryeministri Zaev.
Nga Qeveria e Maqedonisë kanë bërë të ditur se vazhdon koordinimi dhe konsultimi lidhur me projekt-amendamentet për ndryshimet kushtetuese dhe se ato do të dorëzohen konform afatit. Nga ana tjetër, socialdemokratët në pushtet kanë thënë se Kuvendi i Maqedonisë po i kthehet agjendës reformuese, me miratimin e disa ligjeve nga sfera e drejtësisë me shumicë prej dy të tretave.
Hari Lokvenec – LSDM: “Dje të gjithë deputetët treguan përgjegjësi që duhet të përshëndetet. U bëjmë thirrje që në periudhën e ardhshme të kyçen edhe në proceset për anëtarësim në NATO dhe BE”.
Por nga Lëvizja Besa i janë përgjigjur Kryeministrit Zaev rreth deklaratës së tij se nuk do ti pranojë propozim-amendamentet e opozitës shqiptare.
Bilall Kasami – Besa: “Duam t’ju kujtojmë se Lëvizja Besa që nga fillimi i hapjes së proceseve euro-atlantike ishte dhe është një faktor konstruktiviteti, që zgjat dorën e bashkëpunimt. Por, kjo nuk do të thotë të heqim dorë nga postulatet themelore të vizionit politik të Lëvizjes Besa dhe nga besimi që na është dhënë nga shqiptarët”.
Ndërkaq, Zv/Kryeministri për Cështje Evropiane Bujar Osmani duke prezantuar të ashtuquajturin Planin 18 të reformave ka bërë thirrje që procesi reformues të jetë jashtë politikës ditore.
Ndërkohë, pas dorëheqjeve të djeshme të krerëve të Forumit të Gruas së VMRO-DPMNE-së sot është dorëhequr edhe kreu i organizatës rinore. Në arsyetimin e dorëheqjes përmenden mospajtimet me udhëheqësinë partiake dhe izolimi i opozitës maqedonase nga faktori ndërkombëtar./abcnews.al