Maqedoni, Prokuroria Speciale urdhëron hetimin e përgjimeve

schedule20:00 - 5 Qershor, 2019

schedule 20:00 - 5 Qershor, 2019

Prokuroria speciale në Maqedoni ka urdhëruar hetimin e përgjimeve të publikuara në rrjetet sociale nga një person me pseudonimin “El Çeka”, mbi ngjarjet e Kumanovës. Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se institucionet duhet të zbardhin të vërtetën.

Në një paraqitje me rastin e shënimit të përvjetorit të Bashkimit Demokratik për Integrim, në Shkup, zoti Ahmeti ritheksoi angazhimin e tij për zbardhjen e së vërtetës lidhur me të ashtuquajturat bomba politike. Organet e drejtësisë duhet të zbardhin të vërtetat e jo të bëjnë drejtësi selektive, ndërkohë që për vazhdimin e publikimit të tyre ai tha se është një ‘Brymë mëngjesi’ që ka për t’u venitur së shpejti.

Prokurorja Speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva ndërkohë ka urdhëruar nisjen hetimeve për materialet e publikuara.

Katica Janeva, PSP:  “Kam dhënë urdhër të hetohen, të shihen, mundet edhe në bazë të hard-diskut të vërtetohet çfarë është, së pari kohëzgjatja, pastaj të identifikohen, të dëgjohen, të përkthehen…”

Bisedat e përgjuara telefonike, sipas profesorit universitar Tupançevski duhet të trajtohen, si fakte për procedura eventuale gjyqësore:

Nikolla Tupançevski, profesor universitar:  “Është fakt se bisedat e përgjuara trajtohen në mënyra të ndryshme, sepse mban përgjegjësi penale ai që në njëfarë mënyre I ka publikuar. Ligji për procedurë penale dhe vendimet e marra nga gjykatat më të larta shkojnë në drejtim se në situata të caktuara, bisedat e përgjuara mund të shfrytëzohen si prova materiale”.

“El Cheka” dje i ka dërguar një mesazh Kryeministrit Zaev, se në Burgun e Shkupit u përgatitet diçka tre të akuzuarve në Rastin e Kumanovës, duke e paralajmëruar që mos të lejojë diçka të tillë, pasi siç thotë, nga burime të Prokurorisë ka njoftime se tre të akuzuarit nuk duhet të hanë ushqimin e burgut e as të dalin nga qelitë. Informacionet e këtilla janë përgënjeshtruar nga Drejtoria e Burgut./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!