Maqedoni, parlamenti miraton paraprakisht projektligjin për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe

schedule22:35 - 15 Nëntor, 2017

schedule 22:35 - 15 Nëntor, 2017

Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar paraprakisht projektligjin për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe. Këtë projektligj e kundërshtoi partia opozitare VMRO-DPMNE duke thënë se është antikushtetues.

Parlamenti i Maqedonisë, ka miratuar paraprakisht projektligjin për zgjerimin e përdorimit zyrtarë të gjuhës shqipe në të gjithë vendin. Në shqyrtimin në parim, ligjvënësit votuan 66 me 41 në favor të projektligjit, që ka për qëllim lehtësimin e komunikimit të komunitetit shqiptarë në insititucione, komuna, spitale dhe gjykata. Para votimit, deputeti Ilija Dimovski, nga partia opozitare VMRO-DPMNE e ka përshkruar tekstin si jokushtetues dhe diskriminues ndaj gjuhës maqedonase dhe gjuhëve të tjera.

Ilija Dimovski, deputet i VMRO-DPMNE: “Me këtë ligj nuk mbyllen problemet dhe çështjet e marrëdhënieve ndër etnike, përkundrazi, edhe kolegët nga BDI, BESA, ASH dhe PDSH paralajmëruan se ky është vetëm një hap dhe se çështja e përdorimit të gjuhës është e hapur dhe duhet të ketë përmasa të tjera. Dua të them se në këtë procedurë u shkel rregullorja dhe u keqpërdor simboli i BE-së”.

Nga ana tjetër deputeti Artan Grubi i partisë shqiptare, BDI, tha se i është hapur rruga avancimit të gjuhës shqipe në nivel të pushtetit qendror. Por theksoi se zyrtarizimi i plotë është i pamundur pasi duhen bërë ndryshime kushtetuese. Projektligji i propozuar duhet të kalojë më shumë shqyrtime në legjislacion përpara se t’i dërgohet presidentit, Gjorge Ivanov, për nënshkrim. Kryeministri, Zoran Zaev, premtoi këtë ligj kur formoi koalicionin me partitë shqiptare. Një veprim i tillë ka nxitur kritika nga VMRO-DPMNE dhe të parti të tjera, që kanë akuzuar Zaev për tradhëti të interesave kombëtare të Maqedonisë. Ligji i tanishëm për gjuhët, e përcakton gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por ajo mban këtë status vetëm në vendet ku komuniteti shqiptar përbën mbi 20 përqind të popullsisë. Shqiptarët përbëjnë një të katërtën e popullsisë së Maqedonisë, me 2.1 milionë banorë, shumica e të cilëve jetojnë në jugperëndim, afër kufirit me Kosovën dhe Shqipërinë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!