Maqedoni/ Nimiç: Më 17 Janar nuk ka propozim të ri për emrin

schedule18:50 - 15 Janar, 2018

schedule 18:50 - 15 Janar, 2018

Në takimin e radhës më 17 Janar nuk do të ketë propozim të ri rreth emrit të Maqedonisë. Kjo është konfirmuar nga ndërmjetësuesi Methju Nimiç. Ndërkohë, për herë të pare, Rusia ka dalë me një qëndrim zyrtar për bisedimet mes Shkupit dhe Athinës.

Ndërmjetësuesi për emrin e Maqedonisë, Methju Nimiç, njoftoi se nuk do të ketë propozim të ri. Në takimin e planifikuar për më 17 Janar në Nju Jork, ai do të dalë me propozime që tashmë janë diskutuar në të kaluarën. Ka një moment pozitiv në Shkup, tha Nimiç në një intervistë për televizionin kombëtar grek ERT. Sipas tij, të dy vendet janë të gatshme për zgjidhje.

Metju Nimiç, ndermjetësues për emrin e Maqedonisë: “Mendoj se qytetarët e të dyja vendeve ndoshta janë të përgatitur të dëgjojnë disa zgjidhje. Ajo që do të mundohem ta bëj është të marr elemente që kam dëgjuar nga të dyja palët. Nuk kam dhënë ide viteve të fundit, por ishte adekuate duke patur parasysh atë që ndodhte. Por tani mendoj se kemi negociatorë të mirë”.

Ndërkohë, me qëndrim zyrtar për bisedimet rreth emrit doli edhe Moska. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, komentoi se bisedimet po intensifikohen dhe se nuk bëhet fjalë për afrimin e të dy popujve ballkanik, por për dëshirën e Maqedonisë të bëhet anëtare e NATO-s. Ai pati dhe një këshillë për Shkupin.

Sergej Lavrov, ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë: “Maqedonia, e cila dëshiron ti bashkohet NATO-s, do të duhet të bëjë lëshime, ndryshe nga Greqia, e cila tashmë është anëtare e Aleancës”.

Më tej Lavrov nënvizoi se “çdo emër që do të dakordësohet mes Athinës dhe Shkupit dhe që do të futet zyrtarisht në Kushtetutën e Maqedonisë do të pranohet nga ana e Rusisë”.

Raundi i ri i bisedimeve mes Maqedonisë dhe Greqisë do të mbahet me 17 Janar në Nju Jork. Kjo përkon me periudhën kur Maqedoninë e viziton Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg./abcnews.al