Maqedoni, Ivanov nuk ndryshon qëndrim dhe sfidon Zaev

schedule14:33 - 20 Qershor, 2018

schedule 14:33 - 20 Qershor, 2018

Presidenti i Maqedonisë Ivanov ka sfiduar kryeministrin Zaev duke i kërkuar që të nisë procedurën për shkarkimin e tij. Ndërsa qeveria ka reaguar duke i bërë thirrje për pjekuri politike.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivnaov i ka bërë thirrje kryeministrit Zoran Zaev që menjëherë të fillojë procedure për shkarkim, ose siç njihet ndryshe “impiçment”, pasi qëndrimi i tij në lidhje me marrëveshjen për emrin është përfundimtar dhe se nuk do të ndryshojë. Kjo është bërë e ditur në një deklaratë zyrtare të presidencës.

“I bëjë thirrje Zaevit që me dy të tretën e votave, të domosdoshme për ndryshime kushtetuese, menjëherë të nisë procedurën për konstatimin e përgjegjësisë së presidentit të Maqedonisë, gjegjësisht impiçment”, thuhet në kumtesën e administratës së kreut të shtetit. Ky reagim vjen pas deklaratës të së martës të kryeministrit Zaev se do të nisë një procedurë për përgjegjësi, nëse Ivanov nuk e dekreton Marrëveshjen për emrin me Greqinë. “Qëndrimi im në lidhje me marrëveshjen e dëmshme për emrin është përfundimtar dhe mbetet i pandryshueshëm edhe përtej të gjitha kërcënimeve dhe trysnive”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga kabineti i Presidentit Gjorge Ivanov.

Ndërkohë, qeveria i është përgjigjur deklaratës së presidentit Ivanov. Zëdhënësi Mile Boshnjakovski gjatë një konferencës për shtyp tha se është koha për të gjitha institucionet politike në Maqedoni, përfshirë edhe presidentin Ivanov të tregojnë përgjegjësi elementare politike për momentin në të cilën gjendet vendi. Boshnjakovski përsëriti se qytetarët gjatë referendumit do të ketë fjalën e fundit dhe se vullneti i tyre është i detyrueshëm për të gjitha partitë politike në vend. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!