Maqedoni e Veriut, LSDM fton për bisedime opozitën

schedule20:20 - 14 Korrik, 2019

schedule 20:20 - 14 Korrik, 2019

Mazhoranca qeverisëse në Maqedoninë e Veriut është shprehur e gatshme që të takohet me liderët e opozitës për të diskutuar mbi çështjet prioritare të vendit. Por për krerët e VMRO-DPMNE, i vetmi prioritet për të cilin mund të diskutohet është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Nga LSDM-ja thonë se janë të gatshëm të takohen me liderin e VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoskin ku do të bisedonin për shumë tema për zhbllokimin përfundimtar të negociatave mes grupeve të punës për PSP-në, për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.

Kostandin Acevski, LSDM: Ne nuk ikim nga negociatat për çështje që janë me interes për shtetin dhe qytetarët. Ende nuk ka një marrëveshje konkrete për takim eventual dhe për temat, por i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së që të mos i bllokojë proceset që janë në interes të vendit. Duhet të ndihmojnë që të miratohen ligje sistemore si për shembull Ligji për Prokurorinë Publike që është me interes për eurointegrimet.

Nga VMRO-DPMNE-ja me qëndrimin se nuk ka ambient në vend që të funksionojë dialogu politik mes pushtetit dhe opozitës. Opozita insiston në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Naum Stoilkovski, VMRO DPMNE: Duhet pjekuri politike tek Zaevi dhe pushteti që të ulen e të bisedojnë që sa më shpejt të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se burimi i të gjitha problemeve qëndron në Qeveri. Dhe ata si burim i problemeve nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes.

Kryeministri Zoran Zaev qysh para një muaji paralajmëroi se do ta ftojë liderin e VMRO-DPMNE-së Mickoskin në një takim liderësh për të biseduar për tre temat që lidhen me miratimin e Ligjit për Prokurori Publike, ndryshimin e Kodit Zgjedhor ku do të vendosej votimi në një njësi zgjedhore, ashtu siç angazhohet LSDM-ja dhe disa parti të vogla, si dhe për Ligjin për Regjistrimin e popullsisë që do të zbatohej vitin e ardhshëm.

Mickoski, nga ana tjetër, ka theksuar se në kushte të ndjekjes politike, akuzave dhe aktgjykimeve me porosi, përveç për ligjin për Prokurori, në tavolinën e negociatave duhet të gjendet edhe tema e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!