Maqedoni e Veriut, hapësira ajrore në duart e Greqisë

schedule22:20 - 1 Tetor, 2019

schedule 22:20 - 1 Tetor, 2019

Hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut do të kalojë tashmë nën përgjegjësinë e Greqisë. Në bazë të marrëveshjes së Prespës, do të jenë avionë luftarakë grekë, që do të ruajnë vendin, nga kërcënimet terroriste që mund të vijnë nga ajri.

Avionë luftarakë grekë do të monitorojnë tani e tutje hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut.

Procesi i quajtur Eir Polising, që realizohet në kuadër të NATO-s, parashikon interceptimin e avionëve që synojnë kryerjen e akteve terroriste ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja përkatëse u nënshkrua në Selanik, nga shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura greke, gjeneral Kristos Kristodoulou dhe homologu i tij nga vendi fqinj, gjeneral lejtnant Vasko Gjurçinovski.

Në fakt, bëhet fjalë për një akt të paralajmëruar menjëherë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.

Mediat greke e kanë përshëndetur marrëveshjen, duke theksuar se në këtë mënyrë Greqia mënjanoi lojtarë të tjerë, si Bullgaria apo Turqia, që gjithashtu synonin të merrnin përsipër monitorimin e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut.

Me marrëveshjen e tanishme shkon në tre numri i shteteve ballkanike, hapësira e të cilëve monitorohet nga avionë grekë. Përveç Maqedonisë së Veriut, ato janë Shqipëria dhe Mali i Zi./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!