Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Wes Mitchell gjatë vizitës së tij në Shkup, ofroi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e kontestit të emrit me Athinën. Nga ana e tij, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev deklaroi se bisedimet me Greqinë për këtë çështje, janë në fazën e fundit.
Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wes Mitchell, vijon turin e tij të vizitave në Ballkan. Këtë herë, zyrtari i DASH u ndal në Shkup, ku u takua me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev. Pas takimit ata dolën në një konferencë për shtyp. Gjatë fjalës së tij, Mitchell shprehu mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për negociatat mes Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit të emrit.
Wes Mitchell, ndihmës sekretar amerikan i shtetit për Europë dhe Euroazinë: “SHBA mbështet të dy vendet që të arrijnë zgjidhjen e kontestit të emrit. Me kryeministrin Zaev diskutuam për bisedimet me Greqinë, forcimin e ekonomive te vendeve të rajonit dhe mbi të gjitha folëm për rrugën e Maqedonisë drejt integrimeve euro-atlantike. SHBA mbështet dhe do vazhdojnë të mbështesë Maqedoninë në përmbushjen e reformat për të hyrë në BE dhe për t’u bërë pjesë e NATO-s”.
Nga ana tjetër, edhe kryeministri Zaev komentoi negociatat për kontestin e emrit me Greqinë.
Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Në këtë drejtim, diskutova me ndihmës Sekretarin Mitchell për zhvillimet e fundit në bisedimet me Greqinë për problemin që fqinji jonë ka me emrin tonë. Shpreha bindjen time se fillojmë fazën e fundit, e cila në fund do të sjellë zgjidhje dinjitoze për këtë çështje. Mbetet e rëndësishme që të ndërtohet besimi mes dy palëve”.
Më tej, kreu i qeverisë nënvizoi se bisedimet kanë ardhur në këtë fazë falë të gjitha partive dhe qytetarëve të Maqedonisë. I pyetur për marrëveshjen, të cilën pritet ta dërgojë në Shkup, ministri i Jashtëm grek, Zaev tha se do ta mirëpresë dhe do ta shqyrtojnë nëse do të ndikonte pozitivisht në gjetjen e një zgjidhje që do të respektonte dinjitetin dhe identitetin e të dyja palëve.
Ndërkohë, pas Maqedonisë, Mitchell do të udhëtojë për në Serbi dhe më pas në Greqi. Vizitën do ta përmbyllë në Qipron greke, ndërsa Shqipëria nuk është në agjendën e vizitave të zyrtarit të Departamentit të Shtetit./abcnews.al