Deklaratat e opozitës se votat janë manipuluar me 30 Qershor, deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti i konsideron si alibi për të mbuluar përgjigjen që i dhanë qytetarët me pjesëmarrjen e tyre në votime.
Gjylameti sqaroi në ABC News se të dhënat zyrtare në lidhje me pjesëmarrjen vieën pas përfundimit të votimit, ku dorëzohet procesverbali nga qendrat e votimit. Ajo theksoi se duhet pritur për rezultatet përfundimtare dhe raportin e OSBE/ODHIR për të shikuar nëse ka problematika që duhen adresuar.
“Alibia e PD për të treguar parregullsi në procesin zgjedhor është thjesht për të mbuluar atë lloj përgjigje që qytetarët shqiptarë i dhanë dje me pjesëmarrjen e tyre. Ju i transmetuat dje në media se si ishin radhët për të votuar pavarësisht të gjithë klimës së krijuar në një muaj tashmë. Edhe nëse shikojmë qoftë nga KQZ po edhe daljet e shpeshta të përfaqësuesve të KQZ-së flitet për shifra paraprake. Ne që jemi marrë me proceset zgjedhore e dimë që në momentin që merret procesverbali nga qendra e votimi ajo jep shifrën ekzakte.
Më parë ato janë të gjitha të marra në mënyrë operative, nëpërmjet telefonit ku japin pjesëmarrjen. Mjafton të shikojmë si janë procesverbalet, sa është numri i pjesëmarrësve, sa është rezultati që ka marrë kandidati i PS, apo PS për të kuptuar që është një lloj alibie për të mohuar përgjigjen e qytetarëve.
Nuk është gabim njerëzor. KQZ që nga zëdhënësja deri te kryetari folën për shifra paraprake dhe shifrat që ata diskutuan dje ishin shifra të orës 18:00 ndërkohë që procesi i votimit përfundon në orën 19:00. Kur vijnë procesverbalet e qendrave të votimit janë ato që tregojnë shifrat reale. Ka elementë sigurie të procesit zgjedhor të cilët tregojnë nëse ka pasur ose jo ndonjë problematike.
Unë në mënyrë absolute nuk e besoj, e refuzoj të mendoj që të ketë një gjë të tillë. Në ndryshimet që kemi bërë edhe në 2017 edhe në ato që kemi propozuar tani ashpërsimi i masave bëjnë që të gjithë të angazhuar për një proces me standardet më të larta. Presim përsëri që të dalin rezultatet përfundimtare dhe po ashtu raporti përfundimtar i OSBE/ODHIR për të kuptuar nëse ka pasur problematike dhe sesi duhen adresuar ato”, tha Gjylameti gjatë një bisede me gazetaren Mirela Milori. /abcnews.al