Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm sipas reformës në drejtësi

schedule17:23 - 22 Nëntor, 2017

schedule 17:23 - 22 Nëntor, 2017

Mandati i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla është kthyer në një diskutim nën zë, në politikën shqiptare, ku palët edhe pse nuk shprehen mbi rastin, lexojnë ligjet e reformës në drejtësi, për të kuptuar fatin e mandatit të kryeprokurorit të Shqipërisë. Bazuar në ndryshimet kushtetuese të korrikut 2016 duket se skenarët e mundshëm deri më tani janë dy.

Në një kohë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda gjendet në vëmendje të opinionit publik për shkak të hetimit të ish-minsitrit Tahiri, sot është mandati i Prokurorit të Përgjithshëm ai që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, duke marrë parasysh edhe faktin se tashmë ai rregullohet sipas ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut të 2016-s.
Është ligji “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” ai që prcakton kushtet dhe kriteret për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili pas ndryshimeve të reformës në drejtësi, propozohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, organ ky ende i pakrijuar.

Por ligjvënësit shqiptarë e kanë parashikuar një ngërç të tillë në një prej dispozitave kalimtare të ligjit për organizimin e prokurorisë, i cili në nenin 109 pika 2 specifikon se…

“Në rast se mandate i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni i të këtij ligji”.

Pikërisht këtu krijohet edhe ngërçi i parë, nëse mund të quhet i tillë momenti kur gërmen a) të pikës 2 të këtij kreu, momentalisht nuk e plotëson asnjë prokuror në Republikën e Shqipërisë. Kjo sepse sipas ligjit prokurori duhet të ketë kaluar me sukses procesin e Vettingut, gjë e cila nuk ka ndodhur ende për asnjë prej prokurorëve shqiptarë.
Trembëdhjetë janë ata që momentalisht janë në proces kontrolli nga organet e Vettingut, e nëse ky process përfundon, sipas dispozitës kalimtare do të jetë ai me më eksperiencë prej tyre, prokurori i përkohshëm i Shqipërisë.

Skenari tjetër është ai i mungesës së plotë të një prokurori i cili përmbush kërkesat e dispozitës kalimtare të përcaktuar në ligj për rastin kur KLP ende nuk është ngritur si institucioni kompetent që përpilon listën e kandidatëve për postin në fjalë.
Në këtë rast posti i Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë rrezikon të mbetet vakant. Ky do të ishte rasti i thirrjes në memorie të precedentit Ina Rama, mandati i së cilës, pas ndryshimeve në ligj u zgjat bazuar në afatet e përcaktua në ndryshimet e miratuara. Kjo çështje është në tagrin e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim, por asnjë prej subjekteve që mund të vërë në lëvizje këtë Gjykatë, nuk i është drejtuar për aktivizim.

Deputetët e të dyja palëve politike, mazhoritare dhe opozitare refuzojnë të deklarohen mbi rastin në fjalë edhe pse një prej subjekteve që mund të vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese është pikërisht 1/5 e deputetëve të Parlamentit Shqiptar./abcnews.al

 

https://youtu.be/J8JmYCZzh8s

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!