Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kthen për plotësim Kuvendit shkresën për deputetët e opozitës, pasi nuk ka konstatim të vacancës pas lënies së mandateve. Burime për ABCNews bëjnë të ditur se kuvendi do mbledhë Këshillin e Mandateve e Rregullores për ta finalizuar procesin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kthen Kuvendit, dokumentacionin e dorëheqjeve të deputetëve të PD e LSI. Në njoftimin që kryesia e Kuvendit i ka dërguar KQZ-së, burimet konfirmojnë, se nuk janë konstatuar vakancat e krijuara nga heqja dorë e deputetëve të opozitës. Për këtë arsye Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar Kuvendit një kërkesë për sqarim.
Burime bëjnë të ditur për ABC News, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë administrimi teknik të dokumentcionit, të nisur nga Kuvendi i Shqipërisë vetëm 24 orë pas dorëzimit të dorëheqjeve të deputetëve në Kryesinë e Kuvendit, vëreu mungesën e shpalljes së vakancave që krijon heqja dorë nga mandati i deputetit.
Bazuar në legjislacionin shqiptar, është Kuvendi ai që ka tagrin për të administruar dorëheqjet e deputeteve, përmes Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit. Më pas Këshilli përpilon një raport i cili votohet në seancë plenare për të zyrtarizuar vakancat në Parlament, të cilat më pas i njoftohen Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vetëm atëherë ky i fundit, duke u bazuar në listën shumë-emërore të subjekteve politike zgjedhore, me vendim i kalon mandatin kandidatit të rradhës. Njëkohësisht burime nga Kryesia e Kuvendit thanë për ABC News se kjo procedurë pritet të zhvillohet në ditët në vijim, që Këshilli i Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit të përmbushë detyrimin ligjor që i vesh Kodi Zgjedhor./abcnews.al