Roberto Mancini e njeh shumë mirë Mario Balotellin. Të dy kanë punuar tek Interi, Manchester City dhe kombëtarja italiane. Së bashku kanë një raport shumë të mirë, por nuk kanë munguar tensionet dhe sherret mes tyre.
Trajneri i kombëtares italiane e ka falur gjithmonë dhe ende shpreson që Super Mario do t’i lërë pas krahëve idiotësitë pafund. Në një prononcim për Rai Sport, Mancini flet në këtë mënyrë për sulmuesin italian.
“Unë e dua shumë Marion, pavarësisht gjithçkaje që ai bën. E kam stërvitur kur ishte vetëm një fëmijë, fillova ta aktivizoja dhe ishte i jashtëzakonshëm për disa vite me radhë. Unë akoma shpresoj se ai do të ndryshojë totalisht. Është 30 vjeç, ndodhet në kulmin e pjekurisë fizike dhe futbollistike.
Shpresa ime është që do të ‘zgjohet‘ një ditë, por ai vazhdon të shpërdorojë talentin që zotëron. Mund të them që është një djalë i shkëlqyer, i sjellshëm dhe i edukuar. Ia kam shpjeguar shumë herë që po e shpërdoron talentin që i ka dhuruar Zoti, mos të harrojmë që ka një fizik të hatashëm“, deklaron trajneri i Italisë. /abcnews.al

