Mancini: Holanda na befasoi, kurrë s’e kishte bërë diçka të tillë

schedule08:57 - 15 Tetor, 2020

schedule 08:57 - 15 Tetor, 2020

Italia vijon të jetë e pamposhtur prej 16 ndeshjesh, por mbrëmë u befasua nga Holanda. Trajneri Roberto Mancini e tha vetë diçka të tillë dhe nuk ka të bëjë me rezultatin 1-1, pasi e dinte se do të ishte një ndeshje e vështirë. Rreshtimi 3-5-2 i “Tulipanëve” i ka gjetur të papërgatitur italianët.

“Ishte hera e parë që ata ndryshuan vendosjen dhe për ne ishte një surprizë, edhe pse e dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Kundërshtarët janë i një niveli të lartë dhe mund të krijojnë probleme, sikurse ndodhi.

Ne sulmuam dhe mendoj se patëm rastet më pastra për të shënuar. Ishte një ndeshje e mirë nga ne, një betejë e vërtetë. Tani luajmë ballë për ballë me Poloninë për vendin e parë. Do i fitojmë dy ndeshjet e radhës dhe pastaj do të kualifikohemi”, tha Mancini për Rai Sport.

Ndeshja kundër Holandës u zhvillua në Bergamo dhe Italia kthehej aty pas 14 vitesh. Nuk ishte rastësi përzgjedhja, pasi është një nga zonat më të prekura nga pandemia. “Jemi të lumtur që ishim këtu. Normalisht është disi zhgënjyese që nuk ia dolëm të fitonim, por jemi të kënaqur për kryetarët e bashkive të zonës, të cilët ishin të ftuar në stadium”, mbylli trajneri i Italisë, Roberto Mancini. /abcnews.al