Manchester United sfidë delikate ndaj Sevilla-s

schedule16:10 - 21 Shkurt, 2018

schedule 16:10 - 21 Shkurt, 2018

Liga e Kampionëve ofron sërish një ndeshje të madhe. Anglezët e Mançester Junajtidit luajnë sonte në fushën e Seviljes dhe një sfidë e fortë pritet mes trajnerëve Murinjo e Montela.

Do të ndeshen dy kampionët e fundit edhe pse në kompeticion të ndryshëm.
Sevilja pret Mançester Junajtidin në përballjen e parë të turit të dytë të Championsit, ndërsa spanjollët dhe anglezët kanë qenë dominuesit e kupës tjetër, Ligës së Europës.

Sevilja e fitoi në 2016, ndërsa Junajtid në 2017, por tani objektivi është më i madh.
Anglezët mbërritën në qytetin spanjoll të bindur në forcat e tyre, edhe pse trajneri Zhoze Murinjo nuk dëshiron të dëgjojë fjalën “favorit”.
Portugezi është i kënaqur të paktën që ka gati shumicën e lojtarëve, përfshi edhe Pol Pogbanë, Aleksis Sançezin apo edhe Zllatan Ibrahimoviçin.

“Mendoj se ne nuk mund të jemi favoritë, – tha Murinjo, – ky nuk është rasti ynë. Do të kemi përballë një skuadër shumë të fortë me lojtarë shumë të mirë dhe me një trajner italian, që do të thotë se di të luajë shumë mirë në mbrojtje dhe të kontrollojë sulmin e kundërshtarit. Nuk mund të shënojmë 4 apo 5 gola këtu, këtë mund ta bëjë vetëm Barcelona e Reali, nëse Mesi e Ronaldo janë në top formë. Nëse na quajnë favoritë, kjo për mua nuk do të thotë asgjë”.

Junajtid, siç është traditë, do të mbështetet nga një numër i madh tifozësh dhe kjo do të jetë e rëndësishme, por edhe më i rëndësishëm është fakti që nuk ka trazira në kryeqendrën e Andaluzisë.

Sevilja, ndërkaq, ka edhe ajo ambicie, edhe pse parashikimet nuk e japin favorite.
Formacioni i drejtuar tani nga trajneri italian, Vinçenco Montela, ka pasur ulje ngritje këtë sezon dhe nuk besohet se mund të kualifikohet në Champions nga kampionati.

Gjithsesi, Montela e sheh ndeshjen me optimizëm.

“Jam i lumtur që kam mundësi të drejtoj një ndeshje në Champions, – u shpreh Montela, – jam i kënaqur që kjo ditë erdhi dhe shpresoj të kemi sukses. Jam i lumtur gjithashtu me rendimentin e skuadrës, ndonëse kemi ende mundësi të përmirësohemi. I gjithë Mançester Junajtid është i rrezikshëm, por veçoj Aleksis Sançezin, që duhet ta mbulojmë me çdo kusht. Kam përballë Murinjon, një pionier të taktikës, një rival vërtet i madh”.

Në Sevilje, bashkë me delegacionin anglez, kanë ardhur disa nga legjendat më të mëdha të Mançester Junajtidit, si Sër Bobi Çarlton e Sër Aleks Ferguson, që shpresojnë të shohin një ndeshje të bukur, dhe një fitore të skuadrës së tyre të zemrës./abcnews.al