Manchester City i nisi me humbje miqësoret në Amerikë. Kampionia e Anglisë u mposht nga Dortmundi edhe pse trajneri Guardiola nuk u shqetësuar edhe aq shumë.
Nuk ishte fillimi i mbrojtjes së titullit, por nisja e përgatitjeve.
Pep Guardiola e dinte dhe fusha e tregoi se Manchester City, kampionia e Anglisë, është ende prapa me formën, të paktën në krahasim me skuadrat gjermane.
Miqësorja ndaj Dortmundit në Çikago, ndjekur nga rreth 35.000 spektatorë, u humbi 0-1, falë një penalltie të fituar nga amerikani Pulisiç dhe kthyer në gol nga gjermani Mario Gotze.
Gjithsesi, Guardiola mund të mos ndihet shumë i shqetësuar.
Ai hodhi në fushë kryesisht lojtarë të rinj, me përjashtim të fare pak të atyre në moshë të pjekur si portieri Klaudio Bravo, apo Rijad Mahrez, i marrë këtë verë nga Leicester.
Të paktën, gjysma e ekipit ishte e përbërë nga lojtarë që pritet të largohen deri në fund të gushtit, dhe kjo erdhi sepse tek City pjesa më e madhe e futbollistëve kryesorë kanë qenë në Kupën e Botës, pra janë ende me pushime.
Trajneri katalanas ka kohë për të përgatitur skuadrën pasi Premier Liga fillon në 10 Gusht.
City e fitoi bindshëm titullin sezonin e kaluar, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë që ta mbrojë, në garë me ekipe që janë përforcuar apo pritet të përforcohen si Liverpool-i, Tottenhami apo Manchester United./abcnews.al