Çlirim i madh për Manchester City dhe tifozët e klubit anglez. CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) ka marrë një vendim në lidhje me përjashtimin dy-vjeçar dhe 30 milion eurot gjobë që kishin marrë “Cityzens” nga UEFA për shkak të parregullsive në FFP (Fair-play financiar).
Hetimi i UEFA-s për këtë çështje u nxit nga publikimi i një numri akuzash nga revista gjermane “Der Spiegel”, e cila merrej me dokumente sekrete, që thuhej se ishin marrë nga “Football Leaks”, në vitin 2018.
Klubi anglez është falur, dënimi sportiv është hequr dhe mund të garojë rregullisht në Champions League sezonin e ardhshëm, kompeticion në të cilin kualifikohet si nënkampion i Premier League. Edhe gjoba është ulur ndjeshëm dhe City duhet të paguajë vetëm 10 milion euro.
Një lajm që sjell trishtim te Chelsea, Leicester City, Manchester United dhe Wolves. Këta klube po garojnë për t’u kualifikuar në Champions League dhe tani duhet të luftojnë vetëm për vendet e treta dhe të katërta. /abcnews.al