Mançester Siti u shkëput në krye të Premier Ligës

schedule13:12 - 5 Dhjetor, 2018

schedule 13:12 - 5 Dhjetor, 2018

Mançester Siti po e përballon siç duhet presionin e UEFA-s, për një përjashtim të mundshëm në Champions. Skuadra e Pep Guardiolës vazhdoi serinë e fitoreve në Angli, duke u shkëputur në krye.

Rreziku nuk vjen vetëm nga rivalët në fushën e lojës. Edhe pse është në pozitat e duhura në Ligën e Kampionëve, Mançester Siti mund të përjashtohet nga Championsi prej UEFA-s, por gjithsesi, skuadra e Pep Guardiolës po tregon nerva të forta.

E tregoi me fitoren 2-1 në fushën e Uatfordit, sukses që bëri që ajo të shkëputej në 5 pikë nga Liverpuli në krye të Premier Ligës angleze.

Natyrisht, Liverpuli ka mundësi të afrohet pasi ende nuk e ka luajtur ndeshjen e kësaj jave, por gjithsesi, kampionët vazhdojnë serinë pozitive, në dukje të pashqetësuar nga rreziku i madh në Europë.

Siti ia doli falë golave të Leroi Sanesë në fund të pjesës së parë, dhe të Rijad Mahrezit menjëherë pas pushimit, por Guardiola nuk mbeti plotësisht i kënaqur.

Guardiola: “Ne fituam, por morëm një leksion. U takova me skuadrën pas ndeshjes dhe i thashë se nuk mund të shpërqëndroheshim në 20 apo 25 minutat e fundit. Gjithsesi, nuk është ndonjë alarm I madh, pasi është normale të bësh gabime dhe të mësosh prej tyre. Nuk dua të flas për problemet me UEFA-n, pasi I takon klubit dhe unë kam besim te klubi. Arritëm një fitore të rëndësishme, ndërsa tani duhet të bëhemi gati për një ndeshje tjetër të vështirë, si ajo ndaj Çelsit në fundjavë”.

Siti ka 41 pikë në krye të Premier Ligës, ndaj 36 të Liverpulit, që luan sonte në orën 20:45 në fushën e Bërnlit.

Kampionët janë po ashtu të kualifikuar në Champions, ndonëse duhet të presin se çfarë rruge do të marrë hetimi i UEFA-s ndaj tyre, për shkelje të dyshuara të Lojës së Ndershme Financiare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!