Mançester Siti eleminohet nga Kupa

schedule12:27 - 20 Shkurt, 2018

schedule 12:27 - 20 Shkurt, 2018

Kupa e Anglisë pati një tjetër të papritur të madhe. Mançester Siti u eleminua nga një ekip i kategorisë së tretë, ndërsa trajneri Pep Guardiola u përfshi në sherr me trajnerin kundërshtar

Edhe gjyqtari e humbi në një ndeshje të tillë.

Një karton i verdhë doli nga xhepi i tij dhe u shënua emri i Fabian Delfit, lojtarit të Mançester Sitit.

Gjithsesi, ndonjë sinjalizim nga ndihmësit apo një mendim i dytë personal bëri që arbitri ta vlerësonte drejt ndërhyrjen e Delfit, dhe t’i jepte atij kartonin e kuq, duke prishur ekuilibrat në ndeshjen e Kupës së Anglisë në fushën e Uiganit.

Ky ishte preteksti për të shpërthyer një sherr ku mori pjesë trajneri ndoshta më i mrekullueshëm i futbollit në botë, Pep Guardiola.

Ai u përplas me trajnerin venda, Pol Kuk, diçka që nuk i ndodh shpesh.

Padyshim, katalanasi ishte i tronditur nga fakti se ekipi i tij madhështor po humbiste përballë një kundërshtari të kategorisë së tretë.

Guardiola u pyet për konfliktin, por nuk e pati me shumë qejf që të përgjigjej.

Guardiola: “Djem, ju mund të më pyesni për futbollin apo edhe për çdo gjë tjetër. Asgjë nuk ndodhi në tunel, asgjë nuk ndodhi me kolegun tim. Asgjë! Thjesht, unë i thashë atij që të qendronte në vendin e tij. Me kaq përfundon gjithçka”.

Sidoqoftë, Pepi, e mblodhi veten shpejt dhe pranoi realitetin.

E vërteta e pandryshueshme ishte që Mançester Siti u eleminua nga Uigani, një e papritur e madhe edhe për një Kupë që është mësuar me surprizat.

Skuadra për të cilën janë shpenzuar 800 milionë euro u mposht nga një rival i kategorisë së tretë, që vlen ndoshta 40 herë më pak.

Eleminimi do të thotë se Siti i Guardiolës nuk mundet tani të fitojë çdo trofe sezonal.

I mbetet Premier Liga, Championsi dhe Kupa e Ligës angleze ku ka dalë në finale.

Guardiola: “Po, ne donim ta fitonim këtë kupë, por jemi jashtë, prandaj duhet të përgëzojmë Uiganin për fitoren. Natyrisht, kartoni I kuq ndikoi, ndonëse luajtëm mirë në pjesën e dytë, por na pengoi që ta kishim më të plotë dominimin tonë. Kundërshtari gjuajti vetëm një herë në portë në 90 minuta, por mund të humbasësh edhe kështu

Kolegut të tij, trajnerit të Uiganit, Pol Kuk, nuk i kishte mbetur zë kur doli në konferencë.

Kuk: “Le të fillojmë djema, ju lutem! Natyrisht që jam i lumtur pas kësaj fitoreje të madhe. Ne kishim përballë një skuadër me nivel kaq të lartë, me lojtarë që janë në gjendje të bëjnë gjithçka me topin. Ia dolëm sepse luajtëm me zemër dhe të bashkuar, por në pjesën e dytë e patëm shumë të vështirë edhe pse në epërsi numerike. Kjo, për meritë të Sitit. Nuk dua të flas për përplasjen time me Guardiolën, pasi janë gjëra që ndodhin kur ekzistojnë mendime të kundërta”.

Fitorja ndaj Sitit ishte një histori që përsëritej për Uiganin.

Në vitin 2013, atëherë kur ishte në Premier Ligë, shkaktoi një tjetër tronditje të madhe duke mundur Sitin në finalen e Uemblit e duke fituar Kupën e Anglisë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!