Manastirliu: Shërbim dialize edhe në Gjirokastër

schedule13:38 - 24 Shkurt, 2019

schedule 13:38 - 24 Shkurt, 2019

Ministria e Shëndetësisë po e sheh mundësinë e ofrimit të shërbimit të dializës edhe në Gjirokastër. Gjatë një takimi me grupet e interesit, ministrja Ogerta Manastirliu bëri të ditur gjithashtu se spitalit të qytetit i shtohen 13 mjekë, me qëllim që pacientët t’i marrin shërbimet e specializuara afër vendbanimit.

43 pacientë nga Gjirokastra, Përmeti, Tepelena dhe Saranda marrin shërbimin e dializës në spitalin e Gjirokastrës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, nisi nga qyteti i gurtë, serinë e takimeve me grupet e interesit, për përmirësimin e shërbimit shëndetësor pikërisht me pacientët dializantë.

“Fokusi ynë është pikërisht forcimi i spitaleve, forcimi nëpërmjet stafeve të përgatitura, stafeve profesionale ndaj edhe mjekët që do të atashohen për të punuar pas përfundimit të specializimeve në spitalet tona rajonale do të përmirësojnë padyshim cilësinë e shërbimit dhe do bëjnë që qytetarët të marrin një shërbim më të shpejtë dhe afër vendbanimit”, tha ajo.

Ministrja Manastirliu dha lajmin e mirë se 13 mjekë specialistë, duke filluar nga mjekë të urgjencës, onkologë, kirurgë të përgjithshëm dhe  reanimator i shtohen spitalit rajonal të Gjirokastrës, duke mundësuar shërbimet e specializuar afër vendbanimit.

“Spitali rajonal i Gjirokastrës do të mirëpresë 13 mjekë specialistë, të cilët përfundojnë ciklin e specializimeve duke filluar nga mjekë të specialiteteve kirurgji, anestezi ranimacion, gjithashtu do të kemi mjekë ORL okulistë që do vijë gjithashtu anotom patolog, imazheri, mjekë të urgjencës që do atashohen pranë shërbimeve të spitalit rajonal të Gjirokastrës, por për qarkun e Gjirokastrës do jenë po ashtu pesë mjekë specialistë që do atashohen në spitalin e Tepelenës dhe në spitalin e Përmetit duke ofruar kështu një cikël të shërbimit shumë të rëndësishëm për pacientët dhe duke plotësuar nevojat që kemi në spitalet e rretheve”, tha ministrja.

Ministrja e Shëndetësisë pa nga afër edhe zbatimin e rregullit të ri në spitale, që disiplinon vizitorët në pavione, reanimacion dhe urgjenca./abcnews.al