Kopshtet dhe çerdhet do të hapen në datë 1 qershor sipas protokolleve të sigurisë të bërë publik më herët në Abc News. Kjo ka qenë deklarata e ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë mbledhjes së sotme të Komitetit të Ekspertëve.
“Strategjia e rihapjes do të vijojë sipas fazave që komiteti teknik i ekspertëve ka miratuar. Do të vijojmë me hapjen e çerdheve dhe kopshteve nga data 1 qershor, protokolli I të cilave është miratuar dhe është shpërndarë për t’u parapërgatitur për këtë datë. Vlerësojmë që ky protokoll por edhe të gjithë protokollet e sigurisë duhet të zbatohen rreptësisht, pasi janë baza për ruajtjen e shëndetit të popullatës”, tha Manastirliu.
LEXO EDHE: Rritja e shifrave, Bino: Të rinjtë të tregohen të përgjegjshëm! Çomo e Kalo: Respektoni masat
Sipas Ministres së Shëndetësisë, faza e dytë e rihapjes do të vijojë edhe me sezonin turistik, me protokolle sigurie në funksion të mbrojtjes dhe vetëmbrojtjes së qytetarëve, për të kufizuar përhapjen e COVID19. Ajo kërkoi vëmendje maksimale nga strukturat e shëndetësisë në këtë situatë të fazës së dytë të rihapjes.
“Nuk duhet të harrojmë që ky virus vijon të qarkullojë dhe ne duhet t’i përgjigjemi me të gjitha strukturat në gatishmëri. Kemi hyrë në javën e 12 të epidemisë me mbi 1 mijë të prekur. Tashmë edhe puna bëhet më e vështirë për të gjurmuar kontaktet, ndaj duhet të intensifikohet puna nga strukturat tona të terrenit”, tha Manastirliu.
Komiteti Teknik i Ekspertëve do të vijojë vlerësimin mbi baza ditore dhe 14 ditore të situatës epidemiologjike të COVID19 për vendimet e mëtejshme./abcnews.al

