Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka vizituar ditën e sotme qendrën shëndetësore nr.10 në Tiranë.
Manastirliu u shpreh se më shumë se 1600 mjekë familje në të gjithë vendin po ndjekin pacientët e prekur nga koronavirusi.
“Ne shohim se ka një rritje të rasteve pozitive ditore dhe kjo tregon se kemi nevojë që të zbatojmë masat e thjeshta por shumë efikase. Jemi duke punuar për përgatitjen e situatës që do vijë ne dimër. Në spitalet tona po ofrohet gjithë shërbimi i nevojshëm”, u shpreh ajo.
Manastirliu tha se duhet të vijojë komunikimi dhe informimi me qytetarët për ndjekjen e çdo rasti që konfirmohet me virusin e rrezikshëm.
“Numri 0800 400 400 është një linjë e gjelbër, e dedikuar për të gjithë ata qytetarë që kanë nevojë për informacion, që kanë nevojë të dinë kush është mjeku i familjes, që kanë nevojë të kontaktojnë direkt me mjekun e familjes për t’i lehtësuar komunikimin me mjekun dhe sigurisht për të bërë të mundur më pas ndjekjen e tyre kur janë të prekur nga COVID19”, bëri thirrje Manastirliu.