Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të punimeve për rindërtimin e qendrës shëndetësore të Zall Bastarit, deklaroi se trajtimi i pacientëve me Covid-19 do të vijojë edhe nga mjekët e familjes.
Gjithashtu Manastirliu u shpreh se pavarësisht situatës së shkaktuar nga COVID-19, investimet në shëndetësi po vijojnë për të mundësuar rindërtimin e qendrave të kujdesit parësor nga veriu në jug të vendit.
“E kemi treguar me vepra dhe jo me fjalë që investimet në kujdesin parësor janë investime cilësore Nuk e kemi ndalur punën për rindërtimin e qendrave të kujdesit parësor nga veriu në jug të vendit dhe jam e kënaqur që edhe në këtë zonë të thellë, po rindërtojmë infrastrukturën e kujdesit parësor me të njëjtin standard, si në qytete edhe në zonat më të thella”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se strategjia e kujdesit parësor përfshin zgjerimin e shërbimeve, Manastirliu tha se në qendrat shëndetësore do të përfshihen edhe shërbime sociale për banorët, sidomos në zonat e thella.
“Mjekët dhe infermierët po vijojnë pa u ndalur duke ofruar shërbime për të gjithë banorët, duke trajtuar edhe pacientë me COVID-19 sipas protokolleve tashmë të përcaktuara të mjekimit”, u shpreh ajo.
Në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore në Bashkinë Tiranë u rikonstruktuan dhe u pajisën me aparaturat e nevojshme për vitet 2018 – 2019, 24 qendra shëndetësore dhe ambulanca me investim nga buxheti i shtetit. Për vitin 2020 në Bashkinë Tiranë do ti nënshtrohen rehabilitimit edhe 13 qendra të kujdesit parësor.
/abcnews.al/