Manastirliu: Më shumë se 120 të shtruar në spitale, të mbajmë maskë deri sa të dalë vaksina

schedule12:46 - 23 Korrik, 2020

schedule 12:46 - 23 Korrik, 2020

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë apel të përsëritur nga foltorja e Kuvendit për mbajtjen e maskës duke theksuar se ajo duhet bërë pjesë e rutinës tonë të përditshme.

Manastirliu tha se në dy spitalet e hapura Covid po marrin trajtim mjekësor më shumë se 120 pacientë të infektuar dhe dhjetëra të dyshuar si bartës të koronavirusit.

Ajo theksoi se nuk do të ketë më normalitet deri në shpikjen e vaksinës, ndaj të gjithë duhet të mësohen të bashkëjetojnë me masa mbrojtëse.

“U bënë disa javë që në vendin tonë koronavirusi ka shtuar ngarkesën në sistemin tonë shëndetësor. Sot kërkoj mbështetje për aktin normativ. Disa nga ju maskën nuk po e mbani. Nëse ju nuk e mbani maskën që ju mbron ju dhe kolegët tuaj nuk mund të jeni shembulli më i mirë.

Kjo nuk është masë e qeverisë por e ekspertëve për uljen e riskut. Në të dy spitalet e dedikuara të cilat janë funksionale kemi mbi 120 të shtruar dhe me dhjetëra të tjerë të dyshuar që janë të shtruar. Shumë shpejt do shtrihemi në planin për spitalin e tretë dhe të katërt.

A është më e mira që të vijojmë të hapim spitale apo që secili të marrë përgjegjësit dhe të ulim rriskun. Kjo kërkon mobilizim të të gjithë qytetarëve dhe ne nuk duhet ta bëjmë për veten tonë por për të afërmit tanë dhe për ata që po sakrifikojnë për ne.

Duhet të zbatojmë masat mbrojtëse e cila duhet të kthehet në rutinë për secilin prej nesh. Duhet të vazhdojmë jetë në normalitetin e ri. Nuk ka më normalitet të vjetër derisa vaksina të dalë”, tha Manastirliu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!