Manastirliu: Më shumë qytetarë kanë përfituar kontrollin mjekësor bazë

schedule15:38 - 7 Prill, 2018

schedule 15:38 - 7 Prill, 2018

Interesi i qyetarëve për të kryer kontrollin mjekësor bazë, sipas ministres së Shëndetësise dhe Mbrojtjes Sociale, është rritur. Në ditën botërore të shëndetit. ajo u shpreh se 24% me shumë qytetarë se vitin e shkuar i janë drejtuar qendrave shëndetësore këtë periudhë.

Teste falas për diabetin, hipertensionin apo përllogaritje të rrezikut kardiavaskular patën mundësi të kryejnë qytetarët në kodrat e liqenit në Tiranë në ditën botërore të shëndetit.

Për të rritur ndërgjegjësimin për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë organizuan aktivitetin “Shëndet për të Gjithë”.

Ogerta Manastirliu: “Qeveria shqiptare ka një qasje tjetër për politikat shëndetësore, duke u orientuar drejt shëndetit, jo më drejt sëmundjes. Ndaj ka vendosur në dispozicion të qytetarëve një paketë analizash falas për kontrollin e shëndetit, me të njëjtin standard, në të gjithë qendrat shëndetësore të vendit. Kontrollin Mjekësor Bazë deri tani e kanë kryer 1 apo 2 herë mbi 890 mijë qytetarë dhe vihet re një rritje e interesimit muajt e fundit. 24% më shumë qytetarë i janë drejtuar qendrave shëndetësore në muajt e parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh per zgjerim të shërbimeve shëndetësore në komunitet në të gjithë vendin./abcnews.al